Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli: Diskutimet për projektin amerikan vazhdojnë në nivel ekspertësh

Rizvanolli: Diskutimet për projektin amerikan vazhdojnë në nivel ekspertësh

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se diskutimet për projektin amerikan të gazit në Kosovë ende po zhvillohen në nivel ekspertësh, por nuk ka ende një vendim.

Në një intervistë për programin e mëngjesit në RTK, Rizvanolli tha se debati publik për gazin nuk duhet të reduktohet në parulla politike, por duhet të mbështetet në vlerësime profesionale.

“Diskutimet vazhdojnë dhe do të vazhdojnë në nivel të ekspertëve. Kur të ketë diçka të re, do të jemi plotësisht transparentë dhe do ta diskutojmë”, tha ajo.

Ajo theksoi se Kosova aktualisht nuk përdor gaz dhe se pyetja kryesore është nëse investimi në këtë infrastrukturë është ekonomikisht dhe strategjikisht i arsyeshëm.

“Pyetja që duhet të bëhet është sa kemi nevojë, sa do të kushtonte kjo infrastrukturë dhe çfarë do të thotë kjo për burimet e tjera energjetike”, u shpreh ministrja.

Rizvanolli tha se në vitin 2021 janë bërë analiza së bashku me MCC-në, të cilat çuan në orientimin e investimeve drejt sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë, ndërsa shtoi se përdorimi i gazit të lëngëzuar (LNG) është parë si një mundësi e kufizuar përmes kapaciteteve energjetike që planifikohen në Shqipëri.

Duke folur për raportet me Shtetet e Bashkuara, ajo tha se nuk ekziston asnjë kundërshti mes interesave të Kosovës dhe SHBA-së dhe se çështja e gazit nuk duhet të interpretohet si një test i marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Nuk ka shpërputhje mes interesave të SHBA-ve dhe të Kosovës. Vendimet e Qeverisë janë dhe do të jenë gjithmonë në përputhje me interesin afatgjatë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Rizvanolli.

Ajo shtoi se Kosova mbetet e hapur për diskutime me aleatët dhe me të gjithë akterët relevantë për të identifikuar zgjidhjen më të mirë për sektorin energjetik.

Në intervistë, ministrja foli edhe për projektet në energjinë e ripërtërishme, duke veçuar parkun solar me kapacitet 105 megavatësh, punimet për të cilin kanë nisur pas përfundimit të procedurave administrative.

“Pranverën e ardhshme pritet të jetë në funksion dhe të prodhojë energji. Po flasim për një projekt ndër më të mëdhenjtë edhe në rajon”, tha ajo.

Sipas Rizvanollit, ankandi për parkun solar është zhvilluar në mënyrë konkurruese dhe transparente, duke rritur besimin e investitorëve ndërkombëtarë dhe duke sjellë investime të rëndësishme nga diaspora dhe kompanitë zvicerane në sektorin energjetik të Kosovës.

/rtklive.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com