Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka rikthyer në vëmendje një nga projektet strategjike të bashkëpunimit energjetik me Shqipërinë, duke deklaruar se Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë një kornizë ekzistuese për bashkëpunim rreth terminalit LNG në Vlorë dhe potencialit për furnizim me energji elektrike të prodhuar nga gazi natyror.
Deklarata i referohet Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar më 20 qershor 2022 ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, i cili hap rrugën për zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror dhe terminalit LNG në portin e Vlorës, shkruan Energy Monitor.
Dokumenti, i nënshkruar nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, nuk përfaqëson një kontratë investimi të detyrueshme, por një memorandum bashkëpunimi, i cili krijon bazën për diskutime teknike, planifikim të përbashkët dhe vlerësim të mekanizmave komercialë për zhvillimet e ardhshme në sektorin e gazit dhe energjisë.



Sipas Memorandumit, Shqipëria merr rolin udhëheqës në zhvillimin e terminalit LNG në Vlorë dhe në shqyrtimin e prodhimit të energjisë elektrike nga gazi natyror, ndërsa Kosova shpreh interes për të vlerësuar pjesëmarrjen në projekt, përfshirë mundësinë e sigurimit të energjisë elektrike të prodhuar nga LNG ose kontraktimin e gazit në shkallë të kufizuar, njofton Energy Monitor.
Në raportimet e mediave rajonale është trajtuar gjithashtu edhe dimensioni më i gjerë i këtij bashkëpunimi energjetik. Sipas raportimeve, Kosova dhe Shqipëria kanë diskutuar jo vetëm zhvillimin e terminalit LNG në Vlorë, por edhe mundësinë që Kosova të marrë pjesë si aksionare në projektin e termocentralit me gaz që planifikohet të ndërtohet në këtë zonë, ose alternativisht të sigurojë furnizim afatgjatë me energji elektrike të prodhuar nga gazi në Vlorë.
Ky zhvillim shihet si pjesë e strategjisë për të shmangur ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë dhe për të përshpejtuar aksesin në energji më fleksibile dhe të diversifikuar përmes Shqipërisë.
Marrëveshja parashikonte gjithashtu krijimin e një Komiteti të Përbashkët ekspertësh nga të dy vendet, i cili do të shqyrtojë projektin në nivel teknik, përfshirë mekanizmat e financimit dhe hapat e ardhshëm të zhvillimit. Ky komitet parashihej të formohej në muajin e parë pas nënshkrimit të Marrëveshjes, përcjell Energy Monitor.
Edhe pse në këtë fazë bëhet fjalë për një Memorandum mirëkuptimi dhe jo për një vendim final investimi, projekti LNG në Vlorë po shfaqet gjithnjë e më shumë në diskursin politik si një nga opsionet potenciale për diversifikimin e furnizimit energjetik të Kosovës dhe rajonit.



