Home / Lajme / Mjedisi / Krijohet këndi i gjelbër edukativ në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë

Krijohet këndi i gjelbër edukativ në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë

Në kuadër të aktivitetit “Veprime Lokale të Udhëhequra nga të Rinjtë – Aktivizimi i Komunitetit për Mbrojtjen e Mjedisit”, nxënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë kanë realizuar një intervenim që synon rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor, përmes funksionalizimit të një këndi të gjelbër në hapësirat e brendshme të shkollës, i konceptuar si një ambient edukativ për nxënësit.

Ky kënd përfshin struktura druri të cilat janë mbushur me bimë dekorative të ndryshme, duke krijuar një atmosferë natyrore dhe estetike brenda shkollës. Ndërhyrja synon të sjellë më shumë elemente të gjelbërta në përditshmërinë e nxënësve, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien e tyre dhe në përvojën në hapësirat mësimore.

Hapësira është pajisur gjithashtu me një ulëse për qëndrim, duke e bërë atë një vend të përshtatshëm për pushim, reflektim dhe ndërveprim mes nxënësve. Një element i veçantë i këtij këndi është edhe komponenti vizual informues, i cili paraqet kontrastin mes degradimit dhe gjelbërimit, i shoqëruar me mesazhe ndërgjegjësuese për mjedisin, përcjell Energy Monitor.

Përmes kësaj nisme synohet jo vetëm përmirësimi estetik i hapësirave të brendshme të shkollës, por edhe ngritja e vetëdijes së nxënësve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe ndikimin e zgjedhjeve të përditshme në natyrë.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me CARE International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me “Syrin e Vizionit” si bashkë-zbatues.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com