Home / Lajme / Kosova / Projektligjet për energjinë nuk futen në rend dite

Projektligjet për energjinë nuk futen në rend dite

Dy projektligjet, ai për Energjinë, dhe për Energjinë Elektrike nuk kanë arritur të bëhen pjesë e rendit të ditës në seancën e sotme kuvendare, sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë asnjëri prej mocioneve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

Projektligji për Energjinë mori 63 vota për e 47 kundër, ndërsa ai për Energjinë Elektrike kishte 63 për e 51 kundër, të pamjaftueshme për tu përfshirë si pika të rendit të ditës.

Para kësaj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ligjet për energjinë që po kundërshtohen nga deputetët opozitarë i kanë kaluar konsultimet publike më shumë se 16 muaj më herët e sipas saj, ka pasur kohë të mjaftueshme për tu analizuar të njëjtat.

Ajo ngriti shqetësimin se nëse këto dy ligje nuk kalojnë atëherë Kosova rrezikon t’i humb 9 milion euro nga Plani i Rritjes.

“Këto dy ligje janë kusht për përfitimin e mjeteve nga Plani i Rritjes. I kemi 9 milionë euro që i humbim nëse këto ligje nuk miratohen shumë shpejtë, dhe kjo nuk mjafton që të jetë fundi i qershorit, sepse për fund të qershorit i kemi edhe të gjitha aktet nënligjore të cilat duhet të miratohen. Ky ligj sjellë përmirësime të dukshme të cilat janë edhe nga përvojat e menaxhimit të krizës në vitet 2021-2022 dhe nga avancimi i kornizës ligjore që vjen nga direktivat e BE-së”, tha ndër të tjera ministrja..

Ajo tha gjithashtu se nëse nuk miratohen këto ligje, vështirësohet menaxhimi i krizës eventuale me energjinë.

“Ne  jemi tash në një situatë kur lufta në Iran po e përforcon dhe rritë pasigurinë në sektorin e energjisë dhe  ju me vetëdije nëse nuk mundësoni miratimin e këtyre ligjeve jeni duke na vështirësuar menaxhimin e krizës eventuale që mund të vijnë gjatë muajve e vitit në vijim. Është gënjeshtër të thuhet se në ndonjë mënyrë këto ligje  janë të dëmshme”, tha Rizvanolli .

Sa i përket Rregullatorit, ministrja tha se kompetencat e tij rriten në përputhje me direktivën e BE-së, ndërsa, sipas saj, asnjë vend në Evropë e botë nuk është kur transmisioni i raporton Kuvendit të Kosovës.

“Është bërë zgjidhje ‘sui generis’ në vitin 2026, sepse nuk keni ditur më shumë e nuk  jeni munduar të bëni më shumë, tash po e përmirësojmë më shumë”, tha ministrja Rizvanolli.

Sa i përket asteve, tha Rizvanolli të gjithë e dinë kush ka bartur asete dhe me çfarë çmimi.

 “E keni privatizuar për 26 milionë euro furnizimin së bashku me komplet rrjetin e distribucionit”, tha Rizvanolli derisa këto deklarime ngjallën reagime të deputetëve opozitarë.

Kryekuvendarja Albulena Haxhiu kërkoi nga deputetët që të respektojnë fjalën e ministres meqë ha se ajo po i përgjigjet vetëm deklarimeve që u ngritën në foltoren e Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala doli në foltore sërish, por kryetarja Albulena Haxhiu tha se ai nuk mund ta marrë fjalën pa iu dhënë atij.

“Ulu në vend deputet, të lutem, ulu në vend sepse nuk e merr fjalën pa ta dhënë atë, kjo punë u krye. Lexojë rregullore e punës së kuvendit dhe e sheh kush është përgjegjës për të dhënë fjalën në Kuvendin e Kosovës, uluni në vend kur ta jap fjalën e merrni, përndryshe nuk e merr fjalën. Kjo nuk ka të bëjë me inate, por në respekt të institucionit”.

Haxhiu në emër të grupit, fjalën ia dha kreut të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se fajet nëse mjetet humbin, janë vetëm të ministres që ligji nuk është proceduar me kohë.

“Ministre Kosova mund t’i humb paratë, por ti je fajtore për shkak se nuk e keni proceduar ligjin në kohë. Ju nuk e keni dhënë këtë mundësi pse nuk e keni sjellë para dy javë ose tri javë. Kush iu ka ndaluar meqë po thoni se ligji është bërë në vitin 2024, kush ju ka ndaluar ta sillni. Pse po e sillni tash në këtë mënyrë të përshpejtuar”, tha Hamza.

/rtklive.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com