Home / Lajme / Kosova / ZRRE për problemin me njehsorë: Do të trajtohen devijimet e orëve tarifore, premtohet korrigjim dhe transparencë

ZRRE për problemin me njehsorë: Do të trajtohen devijimet e orëve tarifore, premtohet korrigjim dhe transparencë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton se është duke monitoruar në vazhdimësi situatën lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijime të mundshme të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.

ZRRE siguron publikun se, në bashkëpunim me akterët relevantë, do të ndërmerren veprime konkrete për të parandaluar çdo dëm të mundshëm dhe për të garantuar një proces të drejtë dhe transparent të matjes së energjisë.

Sipas njoftimit, në rastet e raportuara janë ndërmarrë veprime në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë kërkesat për zëvendësimin e njehsorëve elektrikë dhe aplikimin e korrigjimeve financiare bazuar në vlerësimet teknike.

ZRRE thekson se në shumicën e rasteve të verifikuara, matja e energjisë ka rezultuar e saktë, ndërsa pasaktësitë kanë qenë kryesisht të lidhura me devijimin e kohës tarifore. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, ndonëse çdo rast do të trajtohet me seriozitet, përcjell Energy Monitor.

Po ashtu, ZRRE rikujton se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara që operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi, dhe se të hyrat e tyre përcaktohen nga rregullatori, duke kufizuar mundësinë për përfitime nga gabimet eventuale në matje.

Sipas ZRRE-së, çdo gabim i mundshëm është i përkohshëm dhe, pas identifikimit, korrigjohet, ndërsa konsumatorët e prekur kompensohen plotësisht në përputhje me legjislacionin në fuqi. Moszbatimi i këtyre detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas procedurave ligjore.

ZRRE rithekson përkushtimin për transparencë, përgjegjësi dhe trajtim të drejtë të çdo ankese të konsumatorëve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com