Home / Lajme / Kosova / Mbahet Forumi Financiar i Kosovës 2026, fokus te tregjet financiare, investimet dhe tranzicioni i qëndrueshëm

Mbahet Forumi Financiar i Kosovës 2026, fokus te tregjet financiare, investimet dhe tranzicioni i qëndrueshëm

Është mbajtur Forumi Financiar i Kosovës 2026 (FFK 2026), një nga ngjarjet kryesore financiare në rajon, i fokusuar në temën “Ndërtimi i besimit në tregjet financiare të Ballkanit Perëndimor”. Forumi ka mbledhur përfaqësues të institucioneve publike, sektorit financiar, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar reformat, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Në panelin e parë, diskutimet u përqendruan në reformat e nevojshme dhe rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar në afrimin e sistemit financiar me standardet e Bashkimit Evropian. U theksua rëndësia e fuqizimit të institucioneve dhe harmonizimit të politikave si bazë për rritjen e besimit dhe stabilitetit në tregje.

Në kuadër të forumit, një vëmendje e veçantë iu kushtua financimit të zhvillimit industrial dhe rritjes së investimeve në sektorë strategjikë. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për krijimin e mekanizmave të rinj financiarë që lehtësojnë qasjen në kapital për ndërmarrjet prodhuese, duke rritur konkurrueshmërinë dhe duke mbështetur transformimin ekonomik të vendit, përcjell Energy Monitor.

Një nga temat kyçe të diskutimit ishte edhe mobilizimi i kapitalit për rritje të qëndrueshme, me theks në orientimin e investimeve drejt projekteve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin energjetik. Në këtë drejtim, u nënvizua roli i sektorit financiar dhe institucioneve ndërkombëtare në mbështetjen e projekteve të energjisë së pastër dhe inovacionit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e pranishme në disa panele, theksoi se qasja në financa mbetet një ndër parakushtet kryesore për zhvillim industrial dhe rritje të qëndrueshme. Ajo bëri të ditur se po punohet në zhvillimin e zonave industriale dhe në krijimin e instrumenteve financiarë që mbështesin bizneset dhe nxisin investimet, përfshirë edhe ato në teknologji dhe energji të ripërtëritshme.

Gjatë diskutimeve u theksua se përshpejtimi i zhvillimit ekonomik kërkon koordinim më të madh ndërmjet politikave publike dhe kapitalit privat, si dhe investime në infrastrukturë moderne, inovacion dhe projekte që kontribuojnë në një ekonomi më të gjelbër dhe më konkurruese në rajon.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com