Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për Kongresin mbi politikën amerikane për promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, duke vendosur theks të veçantë te siguria energjetike, infrastruktura strategjike, bashkëpunimi ekonomik dhe kundërvënia ndaj ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon, përcjell Energy Monitor.
Në dokumentin zyrtar, SHBA vlerëson se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur drejtpërdrejt me interesat amerikane të sigurisë dhe ekonomisë, ndërsa theksohet se qasja e re amerikane nuk fokusohet më te “ndërtimi i shteteve”, por te partneritetet strategjike dhe interesat e ndërsjella ekonomike.
Raporti përmend të gjashtë vendet e rajonit – Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – si pjesë e një rajoni me potencial strategjik për transport, energji, teknologji dhe industri.
Energjia zë një vend qendror në raport. Administrata amerikane e konsideron varësinë energjetike nga Rusia si “dobësi strategjike” për rajonin dhe paralajmëron angazhim më të madh amerikan në projekte energjetike në Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti përmend si prioritete gazin natyror të lëngshëm amerikan (LNG), teknologjinë bërthamore, përfshirë reaktorët modularë të vegjël (SMR), energjinë e ripërtëritshme, projektet hidroenergjetike, interkoneksionet e gazit dhe linjat e transmisionit që lidhin rajonin me tregun evropian të energjisë.
Mes projekteve konkrete të përmendura janë interkonektori i gazit mes Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës, interkonektori Serbi–Maqedoni e Veriut, zhvillimi i hidrocentraleve në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, si dhe modernizimi i termocentraleve me qymyr në Kosovë dhe projektet për gazifikimin e qymyrit.
Raporti thekson se përfshirja e kompanive amerikane në këto projekte konsiderohet strategjike për zvogëlimin e ndikimit rus në sektorin energjetik të rajonit dhe për rritjen e qasjes së SHBA-së në tregjet e Ballkanit Perëndimor.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet edhe infrastrukturës rajonale. SHBA shpreh interes për korridoret strategjike si Korridori Adriatik-Jon dhe Korridori VIII, që lidh Adriatikun me Detin e Zi, ndërsa mbështet zgjerimin e marrëveshjeve ndërqeveritare për energji dhe infrastrukturë, transmeton Energy Monitor.
Në raport përmendet edhe dialogu Kosovë–Serbi, ku SHBA rithekson mbështetjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.
Sa i përket sigurisë, administrata amerikane konfirmon vazhdimin e pjesëmarrjes së forcave amerikane në NATO dhe në misionin KFOR në Kosovë, duke e cilësuar atë si element kyç për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes.
Raporti paralajmëron gjithashtu për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon, duke akuzuar Moskën për nxitje të tensioneve etnike dhe përdorim të energjisë si instrument presioni politik, ndërsa Pekini për zgjerim të ndikimit përmes kredive shtetërore, projekteve infrastrukturore dhe marrëveshjeve me transparencë të ulët.
Administrata amerikane thekson se do të fokusohet në mbështetjen e reformave që përmirësojnë klimën e biznesit, sundimin e ligjit, transparencën dhe luftën kundër krimit të organizuar, me qëllim krijimin e një ambienti më të favorshëm për investimet amerikane në Ballkanin Perëndimor.



