Interesi për instalimin e sistemeve solare në amvisëri në Maqedoninë e Veriut është i lartë, por kostot fillestare, procedurat e ndërlikuara administrative dhe mungesa e informimit mbeten pengesat kryesore për pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve në prodhimin e energjisë.
Mundësia që qytetarët të bëhen prosumerë – konsumatorë aktivë që prodhojnë, ruajnë dhe shesin energji – është hapur me ligjin e ri për energjetikë të vitit 2025. Megjithatë, sipas organizatës Eko-svest, mungojnë ende ligji për burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe një numër i madh aktesh nënligjore që do ta bënin ligjin funksional në praktikë.
Këto çështje u diskutuan në konferencën rajonale “Energjia qytetare: rregullativa, praktika dhe përvoja nga rajoni”, të organizuar në Shkup nga Eko-svest dhe Qendra për përmirësimin e mjedisit nga Serbia, me pjesëmarrjen e institucioneve, organizatave qytetare, komunave dhe ekspertëve.
“Energjia qytetare tashmë është realitet, e jo fantazi, por duhet të thjeshtohen procedurat, të ketë më shumë mbështetje institucionale dhe financiare, si dhe të miratohen ligjet dhe aktet nënligjore që mungojnë”, u tha në konferencë, duke iu referuar analizave për subvencionet dhe mbështetjen në rajon.
Një nga problemet e theksuara është mungesa e regjistrit të prosumerëve, çka e bën të paqartë numrin real të familjeve që tashmë prodhojnë energji nga panelet solare. Sipas Eko-svest, një regjistër i tillë do të mundësonte politika më të sakta mbështetëse dhe zhvillim më të shpejtë të komuniteteve energjetike.
Në kuadër të konferencës u prezantuan edhe gjetje nga një hulumtim mbi motivimet dhe barrierat e konsumatorëve-prodhues. Sipas analizës, rreth 70% e konsumit të energjisë vjen nga familjet dhe bizneset e vogla, duke e bërë këtë segment thelbësor për tranzicionin energjetik në Maqedoninë e Veriut.
“Transformimi energjetik nuk do të jetë i suksesshëm nëse qytetarët mbeten vetëm vëzhgues. Ai do të jetë i suksesshëm vetëm nëse bëhen pjesëmarrës aktivë, partnerë dhe bartës të ndryshimit”, u theksua nga Ana Çoloviq Leshoska.
Pjesëmarrësit paralajmëruan se çështja e kapacitetit të rrjetit nuk është vetëm teknike, por edhe politike – pra lidhet me atë se sa hapësirë dëshiron shteti t’u japë qytetarëve në sistemin energjetik.
“Tranzicioni energjetik nuk do të jetë i drejtë nëse vetëm zëvendësojmë një teknologji me një tjetër, ndërsa fuqia, fitimi dhe kontrolli mbeten në duart e një numri të vogël aktorësh. Prandaj, energjia qytetare përfaqëson shumë më tepër se panele solare dhe fatura të energjisë elektrike”, u tha nga Ivana Joviq.
Pjesëmarrësit theksuan se tranzicioni energjetik kërkon rregulla më të qarta, koordinim institucional dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve, ndërsa ligji i ri hap mundësi të rëndësishme për prosumerizmin dhe komunitetet energjetike, por ende mungon harmonizimi me fusha të tjera ligjore si financat, banimi dhe ndërtimi.
Kujtohet se nga 1 korriku 2022, qytetarët që instalojnë panele solare në Maqedoninë e Veriut mund të përfitojnë subvencion deri në 30% të kostove, por jo më shumë se 1,000 euro.



