Programi energjetik i Lëvizja Vetëvendosje është publikuar duke vendosur në qendër sigurinë e furnizimit, përballueshmërinë e çmimeve dhe tranzicionin energjetik, me fokus të veçantë në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese me qymyr, rritjen e burimeve të ripërtëritshme dhe zhvillimin e infrastrukturës së ngrohjes qendrore.
Në dokument theksohet se Kosova do të vazhdojë investimet në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, me synim zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre për të paktën 20 vite, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe uljen e ndjeshme të ndotjes në përputhje me standardet evropiane.
Sipas programit, modernizimi i Kosova B përfshin rritje të kapacitetit prodhues për të paktën 20%, si dhe ulje të emetimeve të pluhurit për 97% dhe të oksideve të azotit për 75%, ndërsa rehabilitimi i thellë i Kosova A parashikohet të rrisë kapacitetin deri në 60%.
Programi energjetik parasheh gjithashtu një zgjerim të ndjeshëm të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përmes investimeve publike dhe private që synojnë trefishimin e kapaciteteve ekzistuese. Sipas planit, vetëm projektet aktuale do të sigurojnë të paktën 305 MW nga era dhe 250 MW nga energjia solare, me objektivin që rreth 20% e konsumit të energjisë elektrike të mbulohet nga burime të pastra, përcjell Energy Monitor.
Një element i veçantë i dokumentit është edhe vendosja e një sistemi baterik prej 340 MWh për stabilizimin e rrjetit elektroenergjetik dhe përmirësimin e fleksibilitetit të sistemit, duke mundësuar integrimin më të madh të energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhimin e tepricave të prodhimit.
Në të njëjtën kohë, programi parasheh thellimin e integrimit të tregut të energjisë elektrike në nivel rajonal dhe evropian përmes ALPEX, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar në sektorin energjetik.
Mes teknologjive të reja të përfshira në dokument veçohet planifikimi për gazifikimin e qymyrit, si pjesë e përpjekjeve për diversifikimin e burimeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.
Programi parashikon gjithashtu zgjerimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në disa qytete të vendit, investime prej 150 milionë eurosh në efiçiencë të energjisë për familje dhe ndërtesa publike, si dhe masa për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe uljen e ngarkesës në rrjetin elektroenergjetik.
Në sektorin minerar, dokumenti vendos theks të veçantë në zhvillimin e Trepça, përmes partneriteteve strategjike dhe investimeve të përbashkëta ndërkombëtare.
Pjesa e programit për sektorin e energjisë elektrike
Përballueshmëria e çmimeve, pavarësia energjetike dhe ndikimi në shëndet janë parësore në politikën tonë energjetike. Prandaj, do të investojmë në kapacitete elektroenergjetike që bazohen në burime vendore, në sisteme të ngrohjes qendrore dhe në efiçiencë të energjisë. Njëkohësisht, do të punojmë për modernizimin e sistemit energjetik dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike në nivel rajonal dhe evropian.
Siguria energjetike dhe diversifikimi i burimeve
Për siguri të furnizimit, do të vazhdojmë investimet në njësitë e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat rrisin kapacitetin e tyre për së paku 20 vite dhe do të ulin ndotjen, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Me modernizimin dhe vendosjen e filterëve që tashmë janë duke u realizuar, kapaciteti prodhues i termocentralit “Kosova B” po rritet për së paku 20%, emetimet e pluhurit do të ulen për 97%, ndërsa emetimet e oksideve të azotit ulen për 75%.
Ndërsa, me rehabilitimin e thellë të njësive të termocentralit “Kosova A”, kapaciteti prodhues do të rritet për 60%.
Me investime publike dhe përkrahjen e investimeve private, kapacitetet e burimeve të ripërtëritshme të energjisë do të rriten më se trefish. Vetëm nga projektet të nisura tashmë, do të kemi së paku 305 MW kapacitete të erës dhe 250 MW kapacitete diellore, duke arritur që 20% e energjisë që konsumojmë të vijë nga burimet e pastra të energjisë.
Si rezultat i të gjitha këtyre investimeve, Kosova do të bëhet neto eksportuese e energjisë elektrike. Më shumë se 93% e energjisë elektrike për familjet dhe ndërmarrjet e vogla do të sigurohet nga burimet vendore, ndërkohë që eksporti i energjisë elektrike në raport me konsumin do të tejkalojë 30%.
Fleksibiliteti i rrjetit elektroenergjetik
Sistemi i baterive për rezerva 340 Mwh do të rrisë stabilitetin e rrjetit elektroenergjetik, do të mundësojë integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet, dhe do të kontribuojë në përballueshmërinë e çmimeve duke ulur kostot e shërbimeve ndihmëse dhe duke mundësuar ruajtjen e tepricave të energjisë për t’i përdorur kur kërkesa është e lartë.
Teknologjitë e reja
Do të planifikojmë gazifikimit të qymyrit për prodhim të energjisë. Njëkohësisht, do të intensifikojmë bashkëpunimin për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta energjetike me Shqipërinë.
Integrimi i tregut elektroenergjetik
Pas bashkimit të tregut të energjisë elektrike me Shqipërinë përmes Bursës Shqiptare të energjisë elektrike “ALPEX” në vitin 2024, do të vazhdojë integrimi rajonal i tregut, duke rritur likuiditetin e tregut dhe konkurrencën e transparencën në tregtimin e energjisë elektrike.
Paralelisht, do të bëhen përgatitjet për integrimin e Kosovës në tregun evropian të energjisë elektrike.
Ngrohja qendrore në të gjitha rajonet
Do të ndërtojmë sisteme të reja të ngrohjes qendrore dhe do të dyfishojmë kapacitetin dhe mbulueshmërinë e ngrohjes qendrore në Prishtinë. Gjatë mandatit do të përfundojë dyfishimi i kogjenerimit në Termocentralin “Kosova B”, projekti i ngrohjes qendrore në Obiliq dhe ngrohja qendrore solare në Prishtinë. Pa vonesa fillon puna me projektet për ngrohje qendrore në qytetet Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Podujevë dhe Lipjan. Me vënien në funksion të këtyre sistemeve, nevoja për ngrohje me energji elektrike dhe rrjedhimisht për import të energjisë elektrike do të ulet ndjeshëm. Ndikimi në mjedis do të jetë i shumëfishtë, duke ulur ndotjen nga djegia e drurit dhe qymyrit, si dhe prerjen e pyjeve.
Efiçienca energjetike për familjet dhe bizneset
Do të vazhdojmë investimet në efiçiencë të energjisë, në vlerë prej 150 milionë euro, për familjet që kanë nevojë për përkrahje në izolimin e shtëpive të tyre, si dhe për përmirësimin e kushteve në ndërtesat publike si shkolla, spitale, salla sportive dhe institucione të tjera. Kështu sigurojmë kushte më të mira jetese, ngrohje me çmime të përballueshme dhe lehtësim të ngarkesës në rrjetin elektroenergjetik. Do të rinovojmë 400 ndërtesa publike si shkolla, spitale, etj., dhe do të përkrahim financiarisht së paku 8 mijë familje për izolimin e shtëpive të tyre apo investime të tjera në efiçiencë të energjisë. Do të nisim rinovimi e banesave shumëkatëshe në komunat Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Podujevë dhe Gjakovë. Do të përkrahim bizneset me grante për sisteme solare dhe efiçiencë të energjisë.
Minierat
Sektori minerar është sektor strategjik me rëndësi për ekonominë dhe sigurinë kombëtare. Prandaj, do të themelojmë partneritete strategjike në nivel shtetëror për hulumtime dhe investime të përbashkëta në këtë sektor. Do të ndahet një fond prej rreth 50 milionë euro për skanimin e plotë të burimeve tona natyrore dhe për futjen e tyre në ekonomi në funksion të zhvillimit.
Trepça
Trepça do të jetë në qendër të sektorit minerar, ndërkohë që hulumtimet dhe investimet do të zgjerohen edhe në zona të tjera me potencial të lartë. Në Trepçë, si bashkëinvestitor, do të inkuadrohet një korporatë minerare me përvojë të gjatë, në bashkëpunim të ngushtë me një nga vendet mike.



