Vëzhguesit në Kosovë e cilësojnë si një “aventurën më të madhe politike” refuzimin e qeverisë për t’u bërë pjesë e rrjetit të gazit në Ballkanin Perëndimor të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara.
Qasja refuzuese e Kosovës ndaj projektit amerikan ka provokuar reagimin e vëzhguesve të zhvillimeve politike në Kosovë. Lulzim Peci, drejtor i Institutit të Kosovës për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), pozicionimin e qeverisë kosovare e ka cilësuar si “aventurën më të madhe politike” që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.
“Në kohën kur siguria energjetike po shndërrohet në alfa dhe omega të sigurisë kombëtare, një sjellje e tillë është thellësisht kundër interesave tona vitale. Për këtë qasje nuk ka shpjegim që mund të mbështetet në interesin ekonomik, ka shkruar Peci.
Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës bashkëpunim në sektorin e energjisë që synon reduktimin e varësisë nga importet, integrimin e saj në rrjetin rajonal të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) përmes korridoreve që kalojnë nga Greqia dhe Kroacia përmes lidhjes së mundshme me Maqedoninë e Veriut ose Shqipërinë.
Megjithatë, autoritetet kosovare deri më tani kanë refuzuar t’i përgjigjen pozitivisht nën pretekstin e kostove të larta financiare, duke insistuar në gazifikimin e thëngjillit, një alternativë ndaj së cilës administrata amerikane nuk ka shprehur interesim.
Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka deklaruar se asnjë qeveri, pavarësisht legjitimitetit popullor, nuk mund të marrës e vetme vendimet që vulosin orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të vendit për dekada.
Kryeziu ka vlerësuar gjithashtu se refuzimi i projektit amerikan prek sigurinë kombëtare, minon zhvillimin afatgjatë, izolon vendin nga iniciativat rajonale dhe, mbi të gjitha, rrezikon të plasaritë aleancën kryesore me Shtetet e Bashkuara.
“Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie, një vendim i tillë nuk duhet të kalojë pa debat të gjerë publik, pa transparencë të plotë dhe pa përfshirjen e komunitetit të biznesit, ekspertëve të fushës, shoqërisë civile, partive politike dhe aktorëve të tjerë relevantë”.
Ndryshe, kriza energjetike e Evropës e viteve 2021–2022 tregoi rëndësinë e industrisë amerikane të LNG-së për ruajtjen e sigurisë globale të energjisë, që shpëtoi pastaj edhe kontinentin evropian nga kolapsi total dhe shantazhi me gaz nga ana e Rusisë.
/albanianpost.com



