Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në bashkëpunim me Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo, ka organizuar një tryezë diskutimi ku është prezantuar raportin me temën “Krijimi i një Kornize të Nivelit Investues për Energjinë e Ripërtërishme në Kosovë”.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve relevante dhe partnerë të ndryshëm, të cilët kontribuuan në diskutimin mbi kushtet e nevojshme për zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtërishme në vend.
Sipas raportit të prezantuar, Kosova duhet të krijojë një kornizë më të plotë rregullatore, financiare dhe institucionale për të mundësuar që projektet e energjisë së ripërtërishme të kalojnë nga faza e konceptit në financim, ndërtim dhe operim, përcjell Energy Monitor.
Studimi fokusohet në përmirësimin e kushteve të rrjetit, procedurave të lejeve, kontratave dhe mekanizmave financiarë, duke theksuar se këta elementë janë kyç për ta bërë sektorin më tërheqës për financim bankar dhe investitorë.
INDEP thekson se drejtimi i politikave energjetike në Kosovë është tashmë i përcaktuar përmes Strategjisë së Energjisë 2022–2031, Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, obligimeve të Komunitetit të Energjisë, Ligjit për Energjinë e Ripërtërishme, funksionimit të tregut ALPEX dhe ankandit të parë solar.
Sipas institutit, këto zhvillime tregojnë se energjia e ripërtërishme nuk është më një çështje dytësore e politikave publike, por një drejtim strategjik i vendit.
INDEP falënderoi pjesëmarrësit dhe panelistët për kontributin e tyre, përfshirë Miftar Nikën nga Ministria e Ekonomisë dhe Bekim Malokun nga sektori i biznesit.



