Në një analizë të publikuar nga Atlantic Council Europe Center, analisti Agon Maliqi argumenton se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit Perëndimor po kalon një riorientim të thellë strategjik, ku fokusi po zhvendoset nga promovimi i demokracisë dhe zgjerimi i BE-së e NATO-s drejt bashkëpunimit ekonomik dhe sigurisë energjetike.
Në analizën me titull “How energy could redefine the US role in the Western Balkans”, Maliqi thekson se një raport i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit sinjalizon një ndryshim të qartë në qasjen e Uashingtonit, ku prioritet kryesor bëhet stabiliteti i lidhur me bashkëpunimin ekonomik dhe projektet energjetike, përfshirë zgjerimin e eksporteve amerikane të LNG-së dhe uljen e varësisë së rajonit nga gazi rus, transmeton Energy Monitor.
Sipas tij, kjo qasje përfaqëson një largim nga strategjia tradicionale amerikane, e cila për dekada është bazuar në mbështetjen për integrimin euroatlantik, forcimin e qeverisjes demokratike dhe zhvillimin institucional në vendet e rajonit.
Maliqi shkruan se administrata aktuale amerikane po e trajton Ballkanin Perëndimor gjithnjë e më shumë si pjesë të një hapësire më të gjerë energjetike që përfshin Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore, ku energjia shihet si instrument kyç i politikës së jashtme dhe ndikimit gjeopolitik.
Në analizë theksohet se një nga projektet kryesore në këtë strategji është Korridori Vertikal i Gazit, i cili synon të lidhë terminalet LNG në Greqi me rrjetet e transportit në Ballkan dhe më tej drejt Evropës Qendrore, duke krijuar një alternativë ndaj furnizimeve me gaz rus, përcjell Energy Monitor.
Maliqi përmend gjithashtu marrëveshje të reja të kompanive amerikane të energjisë në Greqi, projektet infrastrukturore në Shqipëri, si dhe zhvillimet në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, si pjesë të një rrjeti më të gjerë të furnizimit me LNG amerikan në rajon.
Sipas tij, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të integrohen gradualisht në këto korridore energjetike, ndërsa disa projekte të përmendura në raport përfshijnë edhe përmirësime në kapacitetet energjetike të Kosovës dhe zgjerimin e infrastrukturës rajonale të transmetimit, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, Maliqi paralajmëron se kjo strategji mund të krijojë tensione me objektivat klimatike të Bashkimit Evropian dhe të vështirësojë procesin e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat duhet të përmbushin standarde të rrepta rregullatore dhe mjedisore.
Ai shton se shumë nga projektet energjetike po strukturohen përmes marrëveshjeve bilaterale dhe mekanizmave të veçantë ligjorë, gjë që ngre shqetësime për transparencën, qeverisjen dhe ndikimin në proceset demokratike në rajon.
Në përfundim të analizës, Maliqi thekson se mbetet e paqartë sa larg do të shkojë kjo strategji amerikane në Ballkanin Perëndimor, por se ajo tashmë po riformëson ekuilibrat energjetikë dhe gjeopolitikë në rajon, duke e vendosur energjinë në qendër të politikës amerikane.



