Home / Lajme / Kosova / Tre skenarët e së ardhmes energjetike të Kosovës sipas Luigj Imerit: midis sigurisë, tranzicionit dhe kufizimeve strukturore

Tre skenarët e së ardhmes energjetike të Kosovës sipas Luigj Imerit: midis sigurisë, tranzicionit dhe kufizimeve strukturore

Njohësi i sektorit elektroenergjetik dhe ish-drejtues në Korporatën Energjetike të Kosovës, Luigj Imeri, vlerëson se debati shpesh reduktohet në një zgjedhje të ngushtë mes burimeve të ripërtëritshme dhe termocentraleve ekzistuese, ndërsa në realitet kërkohet një qasje më e balancuar që kombinon teknologji të ndryshme për sigurinë energjetike të vendit.

Ai thotë se Kosova përballet me disa skenarë të mundshëm të zhvillimit të sistemit energjetik, ku secili ka avantazhe dhe kufizime të qarta.

“Skenari i parë, KEK-u i kombinuar me energjinë solare dhe të erës, ndihmon në dekarbonizim, por mbetet i kufizuar në fleksibilitet operacional dhe rrit varësinë nga importet gjatë periudhave të pikut të konsumit dhe prodhimit të ulët nga burimet e ripërtëritshme”, vlerëson Imeri.

Në skenarin e dytë, sipas tij, përfshirja e gazit natyror të lëngshëm (LNG) do të sillte rritje të dukshme të stabilitetit të sistemit, transmeton Energy Monitor.

“Shtimi i LNG-së, së bashku me KEK-un dhe burimet solare e të erës, rrit fleksibilitetin e sistemit dhe mundëson balancim më të shpejtë të prodhimit. Ky skenar ofron siguri më të lartë operative, por një pjesë e varësisë nga importi mbetet e pashmangshme”, thekson ai.

Ndërkohë, skenari i tretë, që kombinon kapacitetet ekzistuese dhe të reja të linjitit me LNG dhe burimet e ripërtëritshme, sipas Imerit paraqet zgjidhjen më të fuqishme nga pikëpamja e sigurisë energjetike.

“Ky është skenari më i fortë për sigurinë energjetike kombëtare, pasi ul varësinë nga importi dhe rrit stabilitetin afatgjatë të sistemit”, thotë ai, duke shtuar se sfidat kryesore lidhen me politikat evropiane të dekarbonizimit dhe financimin e investimeve të mëdha.

Në përmbyllje, Imeri vlerëson se realisht skenari i dytë përfaqëson kompromisin më të arsyeshëm mes sigurisë së furnizimit, fleksibilitetit teknik dhe kufizimeve financiare e politike që karakterizojnë Kosovën në tranzicionin energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com