Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), në bashkëpunim me German Economic Team (GET) dhe Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën “Ndikimet ekonomike të konfliktit me Iranin për Kosovën”, ku u prezantuan vlerësime mbi pasojat që tensionet në Lindjen e Mesme mund të kenë për ekonominë e vendit.
Sipas analizës së German Economic Team, megjithëse Kosova ka marrëdhënie shumë të kufizuara ekonomike direkte me Iranin, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë vendore, bizneset dhe konsumatorët.
GET ka rishikuar parashikimin e inflacionit për vitin 2026 nga 3.1% në 5.9%, ndërsa pritjet për rritjen ekonomike janë ulur nga 3.8% në 3.3%, përcjell Energy Monitor.
Analiza vlerëson se rritja e çmimeve të naftës mund t’i kushtojë Kosovës rreth 121 milionë euro shtesë, ose afërsisht 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (BPV). Sipas ekspertëve, kjo do të reflektohet në rritjen e kostove të transportit, prodhimit dhe importeve, duke ushtruar presion shtesë mbi ekonominë.
Gjatë diskutimit u theksua gjithashtu nevoja për rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të Kosovës përmes përmirësimit të klimës së investimeve, rritjes së produktivitetit, zgjerimit të eksporteve dhe përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër.
Sipas OEGJK-së, diskutimi është pjesë e dialogut të vazhdueshëm ekonomik ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, ndërsa temat e ngritura pritet të trajtohen edhe në Forumin e 3-të Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili do të mbahet në tetor të vitit 2026.



