Home / Lajme / Tjera / KEK largon dy zyrtarë pas hulumtimit për ankandet e energjisë

KEK largon dy zyrtarë pas hulumtimit për ankandet e energjisë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndërmarrë masa të reja ndaj zyrtarëve të Divizionit të Tregtimit me Energji Elektrike, pas hulumtimit të Buletinit Ekonomik për mënyrën e organizimit të ankandeve për shitjen e tepricave të energjisë.

Sipas informatave të siguruara nga Buletini Ekonomik, dy punëtorët e KEK që ishin suspenduar në korrik, tashmë janë larguar përfundimisht nga puna.

Në të njëjtën kohë, KEK ka shpallur konkurs për pozitën e Drejtorit të Njësisë së Tregtimit të Energjisë, të cilën deri tani e ka ushtruar Eljas Jashari. Sipas Buletinit, Jashari nuk është larguar nga KEK-u, por pritet të sistemohet në një pozitë tjetër.

Vendimet pasojnë punën e një komisioni të themeluar nga KEK për verifikimin e gjetjeve të hulumtimit të Buletinit Ekonomik. Hulumtimi, i bazuar në analizën e rreth 400 ankandeve dhe dokumenteve të brendshme, kishte ngritur dyshime për mënyrën e organizimit të shitjeve të tepricave të energjisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Buletini, gjatë vitit 2025 rreth 90 për qind e ankandeve ishin përqendruar te dy kompani, NOA Energy Trade dhe ETMT Energy. Të dyja së bashku kishin përfituar rreth 83 për qind të vlerës së energjisë së tregtuar përmes këtyre ankandeve, raporton Energy Monitor.

Hulumtimi kishte ngritur gjithashtu çështjen e përdorimit të komunikimeve përmes e-mailit për organizimin e ankandeve, në vend të një platforme elektronike, si dhe mënyrën e raportit ndërmjet shitjeve përmes ankandeve të KEK-ut dhe tregtimit në bursën ALPEX.

Sipas Buletinit, komisioni i KEK-ut tashmë e ka përfunduar punën dhe gjetjet e ngritura në hulumtim janë konfirmuar, pas së cilës ndërmarrja ka ndërmarrë masat e mëtejshme ndaj zyrtarëve.

KEK kishte theksuar më herët se suspendimi i zyrtarëve nuk përbënte konstatim përfundimtar të përgjegjësisë dhe se çdo vendim do të merrej pas përfundimit të procedurave të brendshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com