Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar në debatin për projektin e gazit amerikan, duke vlerësuar se çështja nuk duhet parë si një zgjedhje ndërmjet gazit dhe thëngjillit, por si një vendim strategjik që lidhet me sigurinë kombëtare dhe orientimin gjeopolitik të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Haradinaj tha se energjia nuk është më vetëm çështje ekonomike apo teknike, por instrument i politikës së jashtme dhe i sigurisë.
“Debati për gazin nuk është debat mes gazit dhe thëngjillit. Nuk është as debat ideologjik mbi tranzicionin energjetik. Në gjeopolitikë energjia nuk është më vetëm energji. Është instrument. Është siguri kombëtare. Është politikë e jashtme në formën e saj më të drejtpërdrejtë”, shkroi ajo.
Sipas Haradinajt, administratat amerikane prej dekadash kanë ndjekur një politikë të diversifikimit të furnizimit me energji në Evropë dhe të reduktimit të varësisë nga furnizuesit që, sipas saj, e përdorin energjinë si instrument presioni gjeopolitik.
Ajo përmendi shembujt e Polonisë, Lituanisë, Kroacisë dhe Rumanisë, duke thënë se këto vende e kanë trajtuar zhvillimin e infrastrukturës së gazit si pjesë të strategjisë së sigurisë kombëtare.
Haradinaj argumentoi se Kosova ndodhet në një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik dhe se, sipas saj, refuzimi i një projekti të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara do të dobësonte pozitën strategjike të vendit.
“Në këtë kontekst, moszgjedhja e një projekti strategjik amerikan është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën pjesë më të fortë të arkitekturës strategjike perëndimore”, u shpreh ajo.
Në fund të reagimit, Haradinaj theksoi se një shtet serioz nuk duhet të vlerësojë vetëm koston e një projekti, por edhe ndikimin e tij afatgjatë në sigurinë dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.



