Home / Lajme / Tjera / BQK: Ekonomia e Kosovës do të ngadalësohet, inflacioni pritet të rritet në 6.7 për qind

BQK: Ekonomia e Kosovës do të ngadalësohet, inflacioni pritet të rritet në 6.7 për qind

Raporti i BQK-së parashikon rritje më të ngadaltë ekonomike gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni pritet të rritet ndjeshëm, i nxitur nga çmimet e ushqimeve, energjisë dhe pasiguritë në ekonominë global.

Rritja ekonomike e Kosovës pritet të ngadalësohet gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni do të përshpejtohet ndjeshëm, sipas projeksioneve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të publikuara në raportin vjetor për vitin 2025.

Sipas raportit, ekonomia pritet të rritet me 3.5 për qind gjatë këtij viti, krahasuar me rritjen prej 3.6 për qind të regjistruar në vitin 2025. BQK vlerëson se rritja do të mbështetet kryesisht nga konsumi privat, remitencat, shpenzimet e diasporës dhe eksporti i shërbimeve, ndërsa sfidat në tregtinë ndërkombëtare dhe pasiguritë globale do të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi aktivitetin ekonomik.

Raporti thekson se kërkesa e brendshme do të mbetet motori kryesor i ekonomisë, me konsumin privat që pritet të japë kontributin më të madh në rritjen e Bruto Produktit Vendor. Në të njëjtën kohë, investimet parashikohen të kenë ndikim negativ, ndërsa eksportet neto pritet të japin një kontribut pozitiv falë rritjes së shpenzimeve të diasporës.

Një nga paralajmërimet kryesore të BQK-së lidhet me inflacionin. Pas një norme mesatare prej 3.9 për qind gjatë vitit 2025, Banka Qendrore projekton që inflacioni të arrijë në rreth 6.7 për qind gjatë vitit 2026, përpara se të ngadalësohet në 4.5 për qind në vitin 2027.

Sipas raportit, rritja e çmimeve do të vazhdojë të ndikohet nga produktet ushqimore, energjia elektrike dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

“Perspektiva mbetet e shoqëruar me pasiguri të konsiderueshme, të lidhura me zhvillimet në tregjet globale të energjisë, tensionet gjeopolitike dhe mundësinë e shpërndarjes së presioneve inflacioniste mbi çmimet e mallrave dhe shërbimeve tjera”, thuhet në raport.

BQK vlerëson se ekonomia e Kosovës mbetet veçanërisht e ndjeshme ndaj zhvillimeve të jashtme, për shkak të varësisë së lartë nga importet.

“Varësia e ekonomisë së Kosovës nga importi i mallrave ushqimore dhe energjetike, si dhe pesha e lartë e këtyre mallrave në shportën e konsumit, ndikojnë që norma e inflacionit në Kosovë të përcaktohet në masë të madhe nga çmimet e mallrave të importuara”, theksohet në raport.

Raporti evidenton se gjatë vitit 2025 ekonomia kosovare u mbështet kryesisht nga konsumi dhe investimet publike, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht për shkak të rritjes së importeve. Deficiti tregtar u thellua në 6.1 miliardë euro, ndërsa importet e mallrave u rritën me 10.6 për qind. Në të kundërt, eksporti i mallrave pësoi rënie të lehtë, ndërsa eksporti i shërbimeve, i nxitur kryesisht nga diaspora dhe sektori i turizmit, vazhdoi të rritet.

BQK paralajmëron se ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të përballet me rreziqe që lidhen me tensionet gjeopolitike, luhatjet në çmimet e energjisë, zinxhirët globalë të furnizimit dhe ngadalësimin e mundshëm të ekonomive të Bashkimit Evropian, partneri kryesor tregtar i vendit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com