Home / Lajme / Kosova / Bellaqa: Projekti për gazin duhet të analizohet, të refuzohet nëse nuk është pjesë e agjendës shtetërore të SHBA-së

Bellaqa: Projekti për gazin duhet të analizohet, të refuzohet nëse nuk është pjesë e agjendës shtetërore të SHBA-së

Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, vlerëson se projekti për zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një analize të plotë ekonomike, ndërsa shprehet se ai nuk duhet të pranohet nëse nuk është pjesë e një agjende shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për dokumentarin “Expose”, Bellaqa tha se duhet bërë dallim ndërmjet një projekti të mbështetur drejtpërdrejt nga Qeveria amerikane dhe një investimi të iniciuar nga kompani private.

“Nëse projekti i gazit amerikan është agjendë shtetërore e qeverisë amerikane, unë sugjeroj se nuk duhet të refuzohet. Por nëse është projekt i ndonjë kompanie amerikane, që mund të ketë edhe aksionarë të tjerë, atëherë duhet të analizohet edhe kostoja financiare”, deklaroi ai.

Sipas Bellaqës, nga këndvështrimi ekonomik, Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në energjinë elektrike, ndërsa përdorimi i gazit natyror në vend mbetet i kufizuar.

Ai argumentoi se vendi duhet të fokusohet në rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë elektrike, duke përfshirë termocentralet me linjit dhe burimet e ripërtëritshme, si energjia diellore dhe ajo e erës.

“Në Kosovë mbi 90 për qind e konsumit është energji elektrike, ndërsa përdorimi i gazit është shumë i vogël. Prandaj, nga logjika ekonomike, një investim i tillë do të kishte kosto të lartë”, u shpreh ai.

Bellaqa theksoi se para çdo vendimmarrjeje duhet të realizohet një studim i fizibilitetit ekonomik, i cili do të vlerësonte kostot, kapacitetet, kërkesën dhe mbulueshmërinë e projektit.

Sipas tij, pa një analizë të tillë nuk duhet të merret një vendim për investime në gaz.

“Nëse nuk ka agjendë shtetërore direkte nga qeveria amerikane, atëherë projekti nuk duhet të pranohet, sepse ka kosto të lartë financiare për buxhetin e Kosovës dhe nuk është bërë një plan i arsyeshmërisë ekonomike”, tha Bellaqa.

Eksperti i ekonomisë shtoi se debati rreth projektit është politizuar më shumë sesa duhet dhe se vendimet duhet të mbështeten në analiza profesionale.

“Institucionet përgjegjëse dhe ekspertët duhet ta analizojnë projektin dhe të japin ekspertizën e tyre profesionale dhe ekonomike, pa i dhënë kësaj çështjeje konotacion politik”, deklaroi Bellaqa.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com