Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / BERZH: Kompania Birlik në Mamushë mbulon deri në 40% të konsumit të energjisë me panele diellore

BERZH: Kompania Birlik në Mamushë mbulon deri në 40% të konsumit të energjisë me panele diellore

Një investim në energjinë diellore po i mundëson kompanisë prodhuese Birlik në Mamushë të mbulojë rreth 30-40% të konsumit të saj të energjisë elektrike, duke ulur kostot operative dhe emetimet e karbonit.

Lajmi është bërë i ditur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila theksoi se investimi është realizuar me financimin e saj dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes programit SME Go Green.

“Birlik po investon në një të ardhme më të qëndrueshme. Sistemi diellor tashmë mbulon rreth 30–40% të konsumit të energjisë së kompanisë”, thuhet në njoftimin e BERZH-it, përcjell Energy Monitor.

Sipas BERZH-it, sistemi fotovoltaik do ta ndihmojë kompaninë familjare jo vetëm të reduktojë shpenzimet për energji, por edhe të rrisë konkurrueshmërinë në tregun vendor dhe atë rajonal.

Programi SME Go Green mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që investojnë në teknologji të gjelbra, efiçiencë energjetike dhe energji të ripërtëritshme, njofton Energy Monitor.

Në qershor të këtij viti, BERZH njoftoi zgjerimin e këtij programi në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Në fazën e re, pritet të mobilizohen deri në 233 milionë euro linja krediti, të shoqëruara me 23.3 milionë euro grante investimi dhe 5.6 milionë euro asistencë teknike, me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Sipas BERZH-it, programi synon të ndihmojë bizneset të investojnë në energji të ripërtëritshme, teknologji më efikase dhe zgjidhje që reduktojnë ndikimin mjedisor, duke rritur njëkohësisht konkurrueshmërinë e tyre.

Rasti i Birlikut është një nga shembujt konkretë të zbatimit të këtij programi në Kosovë, ku investimet në energjinë diellore po ndihmojnë bizneset të ulin varësinë nga rrjeti elektrik dhe të përballojnë më lehtë kostot e energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com