Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Kosova pritet të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të ardhshme, duke iu referuar parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murati ka shpërndarë një analizë të publikuar nga Euronews, sipas së cilës Kosova renditet ndër vendet me perspektivën më të mirë të rritjes ekonomike në rajon.
“Euronews sot ka publikuar një artikull ku tregon se sipas FMN-së, Kosova pritet të jetë ndër top vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë gjatë viteve të ardhshme”, ka shkruar Murati, përcjell Energy Monitor.

Sipas të dhënave të FMN-së të cituara nga Euronews, ekonomia e Kosovës pritet të rritet me rreth 3.6 për qind, duke e vendosur vendin para Shqipërisë dhe Serbisë në rajon.
Për Shqipërinë, FMN parashikon rritje ekonomike prej 3.4 për qind deri në fund të vitit, ndërsa pritshmëria për vitin 2027 është rishikuar në 3.2 për qind. Ndërkohë, Serbia pritet të ketë rritje prej rreth 2.8 për qind, duke shënuar edhe rënien më të madhe të pritshmërive ekonomike në rajon, njofton Energy Monitor.
FMN ka rishikuar disa prej parashikimeve të saj për shkak të pasigurive në ekonominë globale, përfshirë ndikimet nga konfliktet ndërkombëtare dhe luhatjet në tregjet e energjisë. Sipas institucionit financiar ndërkombëtar, ekonomitë në zhvillim që varen nga importi i lëndëve të para energjetike mbeten më të ekspozuara ndaj këtyre goditjeve.
Megjithatë, krahasimi rajonal tregon një perspektivë më pozitive për Kosovën në aspektin e ritmit të rritjes, ndërsa sfidat afatgjata mbeten rritja e produktivitetit, zhvillimi i industrisë, rritja e eksporteve dhe tërheqja e investimeve të reja.



