Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Në ministri dorëzohen aplikimet për dy projekte të reja diellore me kapacitet 118.5 MW

Shqipëri: Në ministri dorëzohen aplikimet për dy projekte të reja diellore me kapacitet 118.5 MW

Dy projekte të reja për ndërtimin e centraleve fotovoltaike me kapacitet të kombinuar prej 118.5 MW janë publikuar si pjesë e fazës së shprehjes së interesit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) në Shqipëri, duke shtuar listën e investimeve private që synojnë tregun e energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

Sipas njoftimeve të publikuara nga ministria, shoqëria “CLEAN JON ENERGY” sh.p.k. ka aplikuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 105 MWp në Njësinë Administrative Dërmenas, Bashkia e Fierit.

Në një procedurë të dytë, “AI ENERGYX” sh.p.k. ka paraqitur një aplikim për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 10 MWac (13.5 MWdc) pranë fshatit Imshte, në Komunën Bubullimë, Bashkia e Lushnjës.

Të dy projektet janë paraqitur në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7 tetor 2015, për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike që nuk janë objekt koncesioni. Ministria saktëson se projektet nuk përfitojnë nga masat mbështetëse dhe do të zhvillohen në tregun e lirë të energjisë.

Sipas procedurës ligjore, palët e interesuara kanë afat 15 ditë nga data e publikimit të njoftimeve për të paraqitur komente pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Aplikimet vijnë në një kohë kur investimet në energjinë diellore po zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në miksin energjetik të vendit. Sipas të dhënave të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë për vitin 2025, kapaciteti i instaluar i impianteve fotovoltaike arriti në 631 MW, ndërsa prodhimi i tyre përfaqësoi rreth 11% të prodhimit total vendas të energjisë elektrike, nga 6.4% një vit më parë.

Vetëm pak ditë më parë ministrI i Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi se pesha e prodhimit të fotovolatikëve është rritur ndjeshëm ku në disa ditë dhe orare të caktuara puna në kaskadën e Drinit është pushuar për tja lënë vendin prodhimit të diellorëve të cilët kanë mbuluar nevojat. Edhe pse pesha totale në raport me “hidro-n” vijon të mbetet modeste ajo po rritet nga muaji në muaj.

/monitor.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com