Ish-kryeshefi ekzekutiv, njëherësh ekspert i energjisë, Ilir M. Shala, ka tërhequr vëmendjen ndaj udhëzuesit të ri të Komisionit Evropian për përfshirjen e publikut në projektet e energjisë së ripërtëritshme, duke vlerësuar se dokumenti ofron praktika që mund të shërbejnë si referencë edhe për Kosovën dhe Shqipërinë.
Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Shala thekson se Komisioni Evropian ka publikuar në korrik 2026 dokumentin “Public Inclusion Toolbox for Renewable Energy”, një udhëzues praktik që mbështet zbatimin e Nenit 15d të Direktivës për Energjinë nga Burimet e Ripërtëritshme (RED III). Sipas tij, dokumenti prezanton praktikat më të mira evropiane për rritjen e pranimit publik të projekteve të energjisë së ripërtëritshme.
Sipas Shalës, udhëzuesi vjen në një periudhë kur Evropa po përshpejton tranzicionin energjetik, ndërsa një nga sfidat kryesore mbetet sigurimi që komunitetet lokale të mos jenë vetëm pritëse të projekteve energjetike, por edhe partnere dhe përfituese të tyre.
Ai nënvizon se pranimi publik nuk ndërtohet vetëm përmes konsultimeve formale ligjore, por kërkon pjesëmarrje të hershme të qytetarëve, transparencë dhe ndarje të drejtë të përfitimeve ekonomike që sjellin projektet.
Në analizën e tij, Shala sjell shembuj konkretë nga vende të Bashkimit Evropian.
Në Irlandë, projektet e energjisë së ripërtëritshme kontribuojnë me të paktën 2 euro për çdo megavat-orë në fondet e komunitetit, ndërsa vetë banorët vendosin për përdorimin e tyre. Në Greqi, një pjesë e të ardhurave rikthehet përmes uljes së faturave të energjisë elektrike dhe investimeve komunale. Danimarka ka krijuar mekanizma kompensimi për pronarët e pronave të prekura nga projektet, ndërsa Estonia aplikon pagesa vjetore për komunat dhe familjet pranë parqeve me erë, përcjell Energy Monitor.
Shala veçon gjithashtu Austrinë, ku qytetarët mund të bëhen bashkëinvestitorë në impiante fotovoltaike mbi ndërtesa publike, Holandën, e cila synon deri në 50% pronësi lokale në projektet e reja të energjisë së ripërtëritshme, si dhe Spanjën, ku në disa rajone projektet e mëdha duhet të ofrojnë të paktën 20% të pronësisë për banorët ose subjektet lokale.
Sipas tij, Franca ka fuqizuar komunat në përcaktimin e zonave prioritare për zhvillimin e projekteve, ndërsa Gjermania ka ngritur qendra të specializuara për dialog dhe ndërmjetësim mes zhvilluesve, institucioneve dhe komuniteteve.
Duke iu referuar këtij udhëzuesi, Shala vlerëson se edhe Kosova dhe Shqipëria duhet të fillojnë diskutimin për krijimin e një kuadri kombëtar për pranimin publik dhe ndarjen e përfitimeve, duke përfshirë konsultime të hershme me komunitetet, plane të detyrueshme për angazhimin e qytetarëve, mekanizma transparentë për ndarjen e përfitimeve, mundësi për bashkëpronësi ose bashkëinvestim, mbështetje për bashkësitë energjetike dhe mekanizma të pavarur për dialog.
Ai thekson se, ndonëse Kosova dhe Shqipëria nuk janë ende shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të dyja po harmonizojnë gradualisht legjislacionin e tyre energjetik me acquis të BE-së dhe me detyrimet që rrjedhin nga Komuniteti i Energjisë, në një kohë kur investimet në energjinë diellore, atë të erës dhe sistemet e ruajtjes së energjisë janë në rritje.
“Në fund, ndoshta mesazhi më i rëndësishëm që sjell ky udhëzues është se tranzicioni energjetik nuk matet vetëm me megavatët e instaluar. Ai matet edhe me besimin që qytetarët kanë tek mënyra se si këto projekte planifikohen, zhvillohen dhe ndajnë përfitimet me komunitetet që i mirëpresin”, përfundon Shala në analizën e tij.



