Home / Lajme / Ndërkombëtare / Tornado i fuqishëm godet Wisconsin: Shkatërrohen banesat, 20 mijë njerëz pa energji elektrike

Tornado i fuqishëm godet Wisconsin: Shkatërrohen banesat, 20 mijë njerëz pa energji elektrike

Zona më e prekur ishte qarku Winnebago, ku moti ekstrem u shoqërua me reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra të forta që hodhën mbeturina në dhjetëra metra largësi.

Një tornado me intensitet të lartë ka goditur shtetin e Wisconsin në Shtetet e Bashkuara, duke lënë pas një bilanc të rëndë dëmesh materiale. Banesa të shkatërruara, automjete të përmbysura dhe pemë të rrëzuara që bllokuan rrugët janë pamjet që kanë mbetur pas kalimit të stuhisë.

Zona më e prekur ishte qarku Winnebago, ku moti ekstrem u shoqërua me reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra të forta që hodhën mbeturina në dhjetëra metra largësi. Si pasojë, dhjetëra mijëra banorë mbetën pa energji elektrike, ndërsa në qytetin Menasha ndërprerja e furnizimit preku të gjithë rreth 18 mijë banorët.

Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA konfirmoi, përmes të dhënave të radarit, formimin e tornados në qarkun Winnebago, rreth 145 kilometra në veriperëndim të Milwaukee. Fenomeni u shoqërua me erëra që arritën shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë copa metali të shtrembëruara dhe mbetje druri të shpërndara përgjatë autostradave, ndërsa drejtuesit e automjeteve përpiqeshin të shmangnin pengesat e krijuara nga stuhia. Pavarësisht dëmeve të konsiderueshme materiale, deri më tani autoritetet nuk kanë raportuar persona të lënduar. Më herët, Shërbimi Kombëtar i Motit kishte lëshuar një paralajmërim për një stuhi “shkatërruese dhe të dhunshme” në zonën që më pas u godit nga tornado.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com