Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka lidhur kontratën për ofrimin e shërbimeve mbështetëse për parkun fotovoltaik të Belshit në Shqip•ri me kapacitet 50 MWp, duke shënuar një tjetër hap në zhvillimin e investimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Kontrata e re lidhet me asistencën teknike për zbatimin e projektit dhe nuk përfshin ndërtimin e vetë centralit diellor. Procedura për projektimin, ndërtimin dhe vënien në punë të impiantit fotovoltaik ende nuk është hapur.
Sipas njoftimit të publikuar në portalin elektronik të prokurimeve të BERZH-it, konsulenti i përzgjedhur do të mbështesë KESH-in në ngritjen dhe funksionimin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, zhvillimin e procedurave të prokurimit, mbikëqyrjen e kontratave, përmbushjen e kërkesave ndaj institucioneve financiare dhe monitorimin e standardeve mjedisore dhe sociale gjatë zbatimit të investimit, përcjell Energy Monitor.
Ndërkohë, tenderi kryesor për projektimin, ndërtimin dhe vënien në punë të parkut fotovoltaik me kapacitet 50 MWp në Belsh mbetet ende në pritje.
Investim prej rreth 41.7 milionë eurosh
Parku fotovoltaik i Belshit ka një vlerë totale prej rreth 41.7 milionë euro. Financimi i projektit mbështetet nga një kredi sovrane prej 30 milionë euro nga BERZH, një grant prej 9.25 milionë euro nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga KESH.
Projekti është pjesë e strategjisë së KESH për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike, në një sistem energjetik shqiptar që historikisht është mbështetur kryesisht në hidrocentrale.
Sipas dokumenteve të projektit, energjia e prodhuar nga impianti do të përdoret për përmbushjen e Detyrimit të Shërbimit Publik, ndërsa prodhimi vjetor i parkut pritet të përfaqësojë rreth 1% të prodhimit kombëtar të energjisë elektrike.
Zhvillimi i kapaciteteve të reja diellore synon të rrisë diversifikimin e miksit energjetik të Shqipërisë dhe të ulë varësinë nga kushtet hidrologjike për prodhimin vendas të energjisë.



