Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kundërshtuar Projektligjin për Pronën Publike, duke kërkuar që komunat të njihen qartë si pronare të pronës komunale dhe të ruajnë kompetencat për administrimin dhe shfrytëzimin e saj.
Këshilli i Kryetarëve të AKK-së ka deklaruar se dispozitat e propozuara, sipas të cilave komunat do të mund të kenë vetëm rol të shfrytëzuesit apo administratorit të pronës komunale, cenojnë autonominë lokale dhe mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të komunave.
Sipas AKK-së, prona e blerë, ndërtuar ose krijuar me mjete komunale duhet të regjistrohet në emër të komunës, ndërsa vendimmarrja për dhënien me qira, bartjen apo shfrytëzimin e saj duhet të mbetet kompetencë e kuvendeve komunale, përcjell Energy Monitor.
Çështja e pronës komunale ka rëndësi të veçantë edhe për zhvillimin e projekteve strategjike, përfshirë investimet në energji të ripërtëritshme, infrastrukturën energjetike dhe projektet e zhvillimit ekonomik lokal, ku toka komunale shpesh është një element kyç për realizimin e investimeve.
AKK kërkon që regjistri qendror i pronës publike të ketë vetëm rol koordinues dhe që mbikëqyrja nga niveli qendror të kufizohet në kontrollin e ligjshmërisë, pa kufizuar kompetencat e komunave për planifikim, zhvillim ekonomik dhe menaxhim të tokës.



