Home / Lajme / Rajoni / 35% energji të ripërtëritshme në transport, Shqipëria me politika ambicioze

35% energji të ripërtëritshme në transport, Shqipëria me politika ambicioze

Shqipëria ka vendosur objektivin më ambicioz mes 9 vendeve të Komunitetit të Energjisë për përdorimin e burimeve të ripërtëritshme në transport.

Deri në vitin 2030, Shqipëria synon që 35% e energjisë së përdorur në këtë sektor të vijë nga burime të ripërtëritshme, niveli më i lartë mes Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë, Kosovës, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Ukrainës.

Megjithatë, realizimi i këtij objektivi kërkon përshpejtim të ndjeshëm të masave, sipas një raporti të fundit të Komunitetit të Energjisë, që analizon planifikimin dhe zbatimin e masave të parashkuara në fushën e energjisë dhe klimës. Raporti evidenton se, ndërsa zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme në prodhimin e energjisë elektrike po avancon, në sektorin e transportit pothuajse nuk është shënuar progres, ndaj kërkohet një fokus më i fortë i politikave në këtë drejtim.

Në rastin e Shqipërisë, Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës parashikon orientimin e politikave drejt elektrifikimit të transportit, zhvillimit të infrastrukturës së karikimit dhe mbështetjes së automjeteve elektrike.

Sfida bëhet edhe më e rëndësishme në perspektivën afatgjatë. Sipas raportit, konsumi final i energjisë parashikohet të rritet pas vitit 2030 në shumicën e vendeve të Komunitetit të Energjisë, me industrinë dhe transportin si faktorët kryesorë të kësaj rritjeje.

Ndërkohë, Shqipëria nis nga një pozicion relativisht i favorshëm në përdorimin e burimeve të ripërtëritshme në tërësi. Objektivi kombëtar është që deri në vitin 2030 ato të mbulojnë 54.4% të konsumit final bruto të energjisë, mbi detyrimin prej 52% të përcaktuar për vendin.

/scantv.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com