Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Bashkim Krasniqi, mori pjesë në një tryezë diskutimi në Gjilan, ku u trajtuan sfidat dhe mundësitë për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në rajonet Lindje dhe Juglindje të Kosovës.
Tryeza me temën “Agjenda e Gjelbër – sfidat dhe të arriturat në rajonet Lindje dhe Juglindje” u organizua nga Agjencia për Zhvillim Rajonal – Lindje, në bashkëpunim me MZHR-në, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunave, institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve.
Krasniqi theksoi rëndësinë e Agjendës së Gjelbër për zhvillimin ekonomik dhe rajonal, duke veçuar nevojën për investime në teknologji të pastra, menaxhim më efikas të burimeve, edukim mjedisor dhe inovacion, përcjell Energy Monitor.
Ai tha se zbatimi i objektivave të Agjendës së Gjelbër kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ndërsa vlerësoi rolin e Agjencive për Zhvillim Rajonal në këtë proces.
Gjatë tryezës u diskutuan gjithashtu sfidat specifike të rajoneve Lindje dhe Juglindje, praktikat e mira dhe mundësitë për zhvillimin e politikave dhe projekteve të qëndrueshme.



