Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka hapur tender për projektimin, furnizimin dhe instalimin e një sistemi fotovoltaik të lidhur me rrjetin në stacionin kryesor të pompimit të KRU Hidrodrini në Pejë.
Sistemi do të ketë kapacitet prej 74.4 kWp dhe pritet të prodhojë rreth 97 MWh energji elektrike në vit. Vlera maksimale e paraparë për kontratën është 80 mijë euro, pa TVSH, njofton Energy Monitor.
Projekti do të realizohet si kontratë “çelës në dorë”, që përfshin projektimin, verifikimin e lokacionit, furnizimin me pajisje, instalimin, lidhjen me rrjetin, testimin, vënien në funksion dhe dorëzimin e sistemit.
74.4 kWp kapacitet dhe rreth 97 MWh prodhim vjetor
Sipas dokumenteve të tenderit, sistemi do të ketë kapacitet prej 74.4 kWp në anën DC dhe së paku 60 kW kapacitet të invertorëve në anën AC.
FKEE parashikon që centrali të prodhojë rreth 97 MWh në vit, ndërsa kërkesa minimale për prodhimin në vitin e parë është 96,720 kWh. Disponueshmëria e sistemit duhet të jetë së paku 98 për qind, pa përfshirë ndërprerjet e shkaktuara nga rrjeti publik.
Instalimi do të bëhet në çatinë e sheshtë të stacionit kryesor të pompimit. Sipas të dhënave paraprake, çatia ka përmasa rreth 29 me 14.5 metra dhe rreth 420 metra katrorë sipërfaqe të përdorshme.
Dokumentet parashohin rreth 120 module fotovoltaike monokristaline, me efikasitet prej së paku 21 për qind. Panelet duhet të vendosen në drejtim të jugut, me një devijim deri në 15 gradë dhe kënd pjerrësie ndërmjet 20 dhe 35 gradë, njofton Energy Monitor.
Para instalimit, kontraktuesi do të verifikojë gjendjen e çatisë, kapacitetin e saj mbajtës, hidroizolimin, drenazhimin dhe ekspozimin ndaj diellit.
Sistemi do të funksionojë paralelisht me rrjetin dhe duhet të mundësojë kufizimin e energjisë së dërguar në rrjet, përfshirë edhe operimin me zero eksport nëse kjo kërkohet.
Kontraktuesi merr përsipër realizimin e gjithë projektit
Përveç projektimit dhe instalimit, operatori fitues do të jetë përgjegjës për sigurimin e pëlqimeve dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit.
Në këtë kuadër përfshihet koordinimi me KEDS-in për lidhjen me rrjetin, si dhe aplikimi pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për autorizimin përkatës të sistemit fotovoltaik.
Kontraktuesi duhet të kryejë edhe projektimin elektrik dhe strukturor, dimensionimin e kabllove dhe pajisjeve mbrojtëse, përgatitjen e skemave teknike, instalimin e paneleve dhe invertorëve, tokëzimin, mbrojtjen nga rrufeja dhe të gjitha punët e nevojshme për funksionimin e sistemit.
Pas instalimit do të kryhen testimet elektrike dhe teknike, përfshirë testimin e mbrojtjeve, tokëzimit, invertorëve, sistemit të monitorimit dhe lidhjes me rrjetin, përcjell Energy Monitor.
Dokumentet kërkojnë edhe integrimin e sistemit të monitorimit me SCADA-n e KRU Hidrodrinit. Platforma duhet të mundësojë përcjelljen në kohë reale të prodhimit dhe performancës, ruajtjen e të dhënave historike dhe eksportimin e të dhënave.
Në përfundim, kontraktuesi duhet të dorëzojë projektet “as-built”, skemat elektrike, certifikatat, raportet e testimeve, dokumentacionin e garancive, manualet e operimit dhe mirëmbajtjes dhe kredencialet për qasje në sistemin e monitorimit.
Parashihet edhe trajnim prej së paku katër orësh për stafin e Hidrodrinit, që do të përfshijë operimin, mirëmbajtjen, sigurinë, diagnostikimin e problemeve dhe përdorimin e sistemit të monitorimit.
Deri në 80 mijë euro për projektin
Vlera maksimale e kontratës është 80 mijë euro, pa TVSH. Çmimi duhet të përfshijë pajisjet, punën, transportin, sigurimin, testimet, lejet dhe autorizimet, dokumentacionin, trajnimin dhe shpenzimet tjera të nevojshme për përfundimin e projektit.
FKEE ka paraparë edhe një opsion për rritjen e prodhimit duke shfrytëzuar maksimalisht sipërfaqen e disponueshme të çatisë. Ky opsion mund të zbatohet vetëm me miratimin me shkrim të FKEE-së dhe moskundërshtimin nga SECO, përcjell Energy Monitor.
Operatorët që aplikojnë duhet të kenë realizuar së paku tri projekte të ngjashme si kontraktorë kryesorë, ku secili projekt duhet të ketë qenë instalim fotovoltaik në çati me kapacitet prej së paku 50 kWp. Të paktën një prej projekteve duhet të jetë realizuar në Kosovë.
Kërkohet gjithashtu certifikim ISO 9001 ose ekuivalent dhe qarkullim mesatar vjetor prej së paku 150 mijë eurosh gjatë tri viteve të fundit, si dhe licencat përkatëse për instalimin e sistemeve fotovoltaike në Kosovë.
Ofertat do të vlerësohen sipas çmimit me 40 për qind, përputhshmërisë dhe cilësisë teknike me 40 për qind, si dhe referencave dhe përvojës me 20 për qind.
Punimet planifikohen për fillimin e vitit 2027
Tenderi është publikuar më 21 shtator 2026. Vizita paraprake në lokacion është planifikuar për 6 tetor në orën 10:00, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është 23 tetor 2026 në orën 10:00. Hapja e ofertave është planifikuar po atë ditë në orën 14:00.
Ofertat duhet të jenë të vlefshme për 180 ditë.
Sipas planit të tenderit, kontrata pritet të nënshkruhet më 24 nëntor 2026. Projektimi i detajuar duhet të dorëzohet deri më 11 dhjetor, ndërsa shqyrtimi dhe finalizimi i tij janë planifikuar deri më 23 dhjetor.
Deri më 29 janar 2027 duhet të përfundojnë sigurimi i lejes së ndërtimit ose pëlqimit komunal, pëlqimit të KEDS-it dhe dorëzimi i pajisjeve.
Instalimi në terren duhet të nisë deri më 12 shkurt 2027, ndërsa përfundimi i punimeve është planifikuar për 19 mars. Pranimi teknik dhe komisionimi me KEDS-in janë planifikuar deri më 16 prill 2027.
Kontrata parashikon një garanci të përgjithshme të sistemit prej së paku tre vjetësh. Për panelet kërkohet garanci produkti prej së paku 12 vjetësh, ndërsa invertorët duhet të kenë garanci standarde prej së paku pesë vjetësh, me mundësi zgjatjeje deri në 10 vjet.
Projekti për qëndrueshmërinë klimatike të ujësjellësve
Tenderi është pjesë e projektit “Qëndrueshmëria klimatike në sektorin e ujësjellësit të Kosovës: Investim fillestar”, i financuar bashkërisht nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).
KRU Hidrodrini është përfituesi i sistemit, ndërsa FKEE është përgjegjës për procedurën e prokurimit dhe menaxhimin e kontratës.
Me instalimin e sistemit fotovoltaik në stacionin kryesor të pompimit, energjia diellore do të përdoret drejtpërdrejt për nevojat e infrastrukturës së ujësjellësit. Prodhimi i pritshëm prej rreth 97 MWh në vit do të mbulojë një pjesë të konsumit të objektit dhe do të ulë sasinë e energjisë së marrë nga rrjeti.



