Ekspertja e energjisë Zanfina Kabashi vlerëson se Kosova duhet ta ndryshojë mënyrën se si e koncepton sigurinë energjetike, duke kaluar nga fokusi i ngushtë te ndërtimi i kapaciteteve të reja drejt krijimit të një sistemi që di të prodhojë, blejë, shesë dhe ruajë energjinë në mënyrë ekonomikisht racionale.
Në një analizë të publikuar në Buletini Ekonomik, Kabashi argumenton se tri narrativa kanë dominuar prej vitesh diskutimin për energjinë në Kosovë: vendi duhet të prodhojë vetë, importi i energjisë është i dëmshëm dhe sa më shumë megavatë të instaluar të ketë, aq më e madhe është siguria energjetike.
Sipas saj, këto ide kanë një bazë reale, por nuk mjaftojnë për të përshkruar sistemin energjetik drejt të cilit po shkon Kosova.
“Instinkti për të prodhuar vetë ka bazë reale dhe nuk mund të themi se është i gabuar. Por mund të themi se është instinkt primitiv nëse suksesin e vendimeve tona strategjike e masim vetëm me MW vendorë të vënë në funksion”, shkruan Kabashi.
Ajo thekson se Kosova tashmë është pjesë e një sistemi energjetik të ndërlidhur rajonal dhe evropian dhe se linjat ndërkufitare e bëjnë të pamundur trajtimin e sistemit energjetik të vendit si një sistem të izoluar.
Në këtë kontekst, sipas Kabashit, edhe kapacitetet e reja duhet të vlerësohen jo vetëm sipas fuqisë së instaluar, por sipas aftësisë së tyre për t’iu përgjigjur nevojave të sistemit dhe tregut.
“100 MW energji solare, 180 MW energji nga era, 45 MW/90 MWh BESS apo 50 MW kapacitet termik nuk garantojnë se Kosova e ka zgjidhur problemin e sigurisë energjetike”, thotë ajo.
Kabashi e lidh këtë edhe me zhvillimin e shpejtë të sistemeve të ruajtjes së energjisë. Duke iu referuar të dhënave të Volue, ajo thekson se kostot “turnkey” për sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa rëndësia po zhvendoset drejt mënyrës se si asetet operohen, optimizohen dhe tregtohen, përcjell Energy Monitor.
Sipas saj, kjo kërkon që narrativa e ndërtimit të kapaciteteve vendore të zgjerohet në drejtim të krijimit të një sistemi që mund të krijojë dhe të akumulojë vlerë nga asetet energjetike në Kosovë, rajon dhe Evropë.
Një ndryshim të ngjashëm Kabashi e kërkon edhe në mënyrën se si shihet importi i energjisë elektrike.
“Por ky instinkt bëhet primitiv nëse importin e shohim vetëm nga kjo pikëpamje dhe jo për atë që është: instrument ekonomik”, shkruan ajo.
Ajo sjell shembullin e një situate ku Kosova mund të zgjedhë mes prodhimit vendor me kosto 110 euro për MWh dhe blerjes së energjisë nga një treg tjetër me çmim 75 euro për MWh, plus koston e kapacitetit ndërkufitar. Në një rast të tillë, sipas saj, vendimi duhet të bazohet në koston dhe vlerën ekonomike, jo në faktin nëse energjia është prodhuar brenda apo jashtë Kosovës.
Për këtë arsye, Kabashi argumenton se Kosova duhet të zhvillojë kapacitete për parashikim, menaxhim të portofoleve, tregtim dhe menaxhim të imbalancave, si dhe të shfrytëzojë më mirë kapacitetet ndërkufitare.
“Qëllimi duhet të jetë krijimi i një sistemi që është i fortë jo sepse nuk importon kurrë, por sepse zgjedh në mënyrë të arsyeshme kur të prodhojë, kur të blejë, kur të shesë dhe si t’i përgjigjet kërkesës, në mënyrë që të maksimizohet vlera e akumuluar për vendin”, thekson ajo.
Kabashi vlerëson se integrimi i Kosovës në tregjet energjetike evropiane tashmë është realitet dhe se krijimi i ALPEX-it për Shqipërinë dhe Kosovën është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Megjithatë, ajo paralajmëron se integrimi formal nuk është i mjaftueshëm. Vlera ekonomike, sipas saj, do të varet nga aftësia e Kosovës për të komercializuar dhe monetizuar produktet energjetike dhe për të marrë vendime sa më afër kohës reale.
“Në një treg të integruar, në mungesë të zhvillimit të këtyre aftësive, Kosova mund të jetë formalisht e integruar, por praktikisht të ketë rolin e një ‘price-taker’”, shkruan Kabashi.
Sipas saj, investimet e ardhshme nuk duhet të maten vetëm me megavatë të rinj. Përveç përfundimit të kornizës ligjore për integrimin e tregut, Kosova ka nevojë për kapacitete për parashikim, tregtim dhe optimizim të aseteve, si dhe për sisteme të telemetrisë, menaxhimit të energjisë dhe automatizimit që mund t’i bëjnë asetet më të menaxhueshme nga tregu.
“Ne mund të vazhdojmë të investojmë në MW dhe të rrezikojmë të investojmë në asete pa pasur kontroll të mjaftueshëm mbi vlerën që ato i ofrojnë sistemit”, paralajmëron Kabashi.
Për të, zhvillimi më i rëndësishëm për Kosovën nuk është vetëm ndërtimi i kapaciteteve të reja, por krijimi i aftësisë për t’i menaxhuar ato në një treg gjithnjë e më të integruar.



