Kosova përballet me një nga nivelet më të larta të varfërisë energjetike në Evropë, ndërsa çmimet e ulëta të energjisë elektrike nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur familjet vulnerabël. Kështu vlerëson OECD në raportin “Energy Prices and Subsidies in the Western Balkans: Reforms for a Fair and Green Future”, ku Kosova paraqitet si vendi me treguesit më të lartë të rajonit për pamundësinë e familjeve për të përballuar shërbimet bazë energjetike.
Sipas raportit, 40.2% e banorëve të Kosovës deklarojnë se nuk mund ta përballojnë ngrohjen e duhur të banesës, krahasuar me 10.6% në Bashkimin Evropian. Po ashtu, 49.4% e familjeve në Kosovë kanë pasur vonesa në pagesën e faturave të shërbimeve, kundrejt vetëm 6.9% në BE. OECD thekson se Kosova renditet e para në rajon në të dy këta tregues.
Raporti vlerëson se varfëria energjetike në Kosovë prek deri në rreth 40% të popullsisë dhe se problemi nuk lidhet vetëm me nivelin e të ardhurave. Cilësia e banesave, efikasiteti i ulët energjetik dhe nevojat e larta për energji ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e familjeve për të siguruar shërbimet energjetike, përcjell Energy Monitor.
Një problem tjetër, sipas OECD-së, është se Kosova ende nuk ka një përkufizim kombëtar të varfërisë energjetike. Për këtë arsye, Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm në Energji Elektrike është fokusuar kryesisht te familjet me të ardhura të ulëta dhe jo te të gjitha familjet që mund të jenë në rrezik të varfërisë energjetike.
OECD vëren se në vitin 2023 Kosova kishte nisur një program të reformuar për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm. Programi synonte të zgjeronte kriteret duke përfshirë familjet me të ardhura mesatare nën 150 euro për person në muaj dhe ishte konceptuar si pilot njëvjeçar për mbledhjen e të dhënave dhe krijimin e bazës për një skemë më afatgjatë.
Në periudhën 2018–2023, Kosova kishte dhënë rreth 32 milionë euro mbështetje për konsumatorët e cenueshëm të energjisë. Sipas OECD-së, rreth 37,500 familje ishin të kualifikuara për mbështetje, me rreth 120 euro në vit për familje. Mbështetja ishte dhënë përmes skemave të asistencës sociale dhe skemave të tjera për kategoritë e caktuara të familjeve.
Megjithatë, raporti vlerëson se subvencionimi i përgjithshëm i çmimeve nuk është mënyra më efikase për të mbrojtur familjet në nevojë. Çmimet e rregulluara të energjisë elektrike në Kosovë kanë krijuar mbështetje të konsiderueshme edhe për konsumatorë që nuk janë të varfër. Sipas OECD-së, dy decilet më të ulëta të të ardhurave marrin vetëm 8.2% të vlerës totale të kësaj mbështetjeje.
Në të njëjtën kohë, energjia përbën një barrë të konsiderueshme për familjet me të ardhura më të ulëta. Sipas të dhënave të analizuara nga OECD, familjet në decilin më të ulët të të ardhurave shpenzojnë rreth 11.2% të konsumit të tyre total për energjinë elektrike, çka e bën rritjen e çmimeve veçanërisht të ndjeshme për këto familje.
Për OECD-në, një reformë e ardhshme e tregut të energjisë në Kosovë duhet të shoqërohet me mekanizma më të mirë dhe më të targetuar të mbështetjes. Raporti vlerëson se transferet direkte të parave për familjet në rrezik të varfërisë energjetike do të ishin në afat të gjatë më efikase sesa subvencionimi i përgjithshëm i çmimeve. Kjo do t’u mundësonte familjeve në nevojë të përballonin kostot e energjisë, ndërkohë që çmimet do të mund të përcillnin më mirë sinjalet e tregut, njofton Energy Monitor.
Por OECD e sheh zgjidhjen edhe përtej subvencioneve. Raporti thekson se varfëria energjetike nuk është vetëm problem i të ardhurave, por edhe i efikasitetit energjetik dhe cilësisë së banesave. Për këtë arsye, programet e eficiencës energjetike duhet të jenë pjesë integrale e politikave për luftimin e varfërisë energjetike.
Në këtë drejtim, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka një rol të rëndësishëm. OECD vëren se fondi, i krijuar fillimisht me fokus te sektori publik, ka nisur të zhvendosë vëmendjen edhe drejt sektorit rezidencial, çka konsiderohet veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh konsumin e lartë të energjisë nga familjet.
OECD paralajmëron gjithashtu se familjet nuk duhet të trajtohen vetëm sipas nivelit të të ardhurave. Personat që nuk klasifikohen si të varfër sipas kritereve tradicionale mund të jenë gjithsesi në rrezik të varfërisë energjetike për shkak të banesave joeficiente, nevojave të larta për ngrohje ose kostove të tjera të energjisë.
Raporti veçon edhe dimensionin gjinor. Gratë, veçanërisht nënat e vetme dhe gratë e moshuara që jetojnë vetëm, janë më të ekspozuara ndaj varfërisë energjetike për shkak të të ardhurave më të ulëta dhe nevojave më të mëdha energjetike. Sipas të dhënave të cituara nga OECD, 53% e nënave të vetme në Kosovë raportojnë vonesa në pagesën e faturave të shërbimeve të paktën një herë gjatë 12 muajve.
Problemi është i lidhur edhe me koston fiskale të mbajtjes së çmimeve të ulëta. OECD vlerëson se gjatë periudhës 2018–2023 mbështetja e induktuar për konsumatorët nga rregullimi i çmimeve në Kosovë arriti në rreth 2.2 miliardë euro, ndërsa sektori energjetik mori gjithsej 608 milionë euro mbështetje financiare gjatë së njëjtës periudhë. Pjesa më e madhe e kësaj mbështetjeje u dha gjatë krizës energjetike të viteve 2021–2023, përcjell Energy Monitor.
Sipas OECD-së, sfida për Kosovën është që reforma e tregut të mos e zhvendosë barrën e rritjes së çmimeve te familjet më të cenueshme. Për këtë arsye, mbështetja e drejtpërdrejtë dhe e targetuar, së bashku me investimet në eficiencë energjetike dhe përmirësimin e banesave, duhet të zëvendësojnë gradualisht subvencionimin e përgjithshëm të çmimeve.
Në këtë mënyrë, luftimi i varfërisë energjetike nuk do të nënkuptonte vetëm mbajtjen artificialisht të ulët të çmimit të energjisë elektrike, por uljen e nevojës për energji dhe rritjen e aftësisë së familjeve për ta përballuar atë.



