Home / Lajme / Rajoni / Nisin javën e ardhshme punimet për interkonektorin e gazit Serbi – Maqedoni e Veriut

Nisin javën e ardhshme punimet për interkonektorin e gazit Serbi – Maqedoni e Veriut

Punimet për ndërtimin e interkonektorit të gazit ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të nisin javën e ardhshme, me vendosjen e tubave të parë në një segment prej pesë kilometrash pranë Banjës së Vranjës në Serbi.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë në mandatin teknik, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, pas takimit të dytë të ministrave të energjisë të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Bullgarisë në Beograd. Ajo tha se objektivi është që interkonektori të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2028.

Sipas Gjedoviq Handanoviq, deri në fund të tetorit pritet të jenë dorëzuar tubat për rreth 15 kilometra të linjës në territorin e Serbisë. Megjithatë, ritmi i mëtejshëm i punimeve do të varet edhe nga përfundimi i procedurave të shpronësimit, të cilat mbeten një nga çështjet që duhet të zgjidhen nga Srbijagasi, përcjell Energy monitor.

“Synimi ynë ishte që në tremujorin e parë të vitit 2028 ta kemi të përfunduar interkoneksionin e gazit, por për ta realizuar këtë është e nevojshme të përfundojnë të gjitha proceset që lidhen me shpronësimin”, tha ministrja serbe.

Interkonektori është pjesë e përpjekjeve për krijimin e një korridori të ri të furnizimit me gaz në drejtimin jug–veri. Kapaciteti i planifikuar i lidhjes është rreth 1.5 miliardë metra kub gaz në vit.

Në anën e Maqedonisë së Veriut, kontrata për projektimin dhe ndërtimin e pjesës së projektit u nënshkrua në gusht. Sipas të dhënave të prezantuara atëherë nga autoritetet maqedonase, segmenti në territorin e vendit është rreth 22.4 kilometra, ndërsa vlera e tij arrin rreth 29.4 milionë euro. Interkonektori pritet të ketë diametër prej 500 milimetrash.

Lidhja me Serbinë po zhvillohet paralelisht me interkonektorin e gazit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, i cili është në ndërtim dhe pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027. Përmes tij, Maqedonia e Veriut do të lidhet me sistemin grek të gazit dhe me burime alternative të furnizimit, përfshirë LNG-në nga terminalet greke.

Këto dy projekte pritet të krijojnë një lidhje të re infrastrukturore nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë, duke hapur mundësi për furnizim nga burime të ndryshme dhe për integrim më të madh të tregjeve të gazit në rajon.

Në shtator, Serbia dhe Maqedonia e Veriut formalizuan gjithashtu pjesëmarrjen në Korridorin Vertikal të Gazit, së bashku me operatorët e vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë iniciativë. Korridori synon të lidhë burimet dhe terminalet e gazit në Greqi me tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ndërsa zgjerimi drejt veriut përfshin edhe Ballkanin Perëndimor.

Në takimin e ministrave në Beograd u diskutua edhe për projekte të reja të transmetimit të energjisë elektrike, përfshirë zhvillimin e Korridorit Ballkanik dhe një linjë të re 400 kV që synon të rrisë kapacitetet e shkëmbimit të energjisë elektrike në rajon.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com