Eksportet e energjisë elektrike nga Shqipëria u rritën më shumë se dyfish në tremujorin e parë të vitit 2026, duke arritur në 1503 GWh, nga 732 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Kjo rritje ka ardhur si rezultat i prodhimit vendas në rritje, veçanërisht nga hidrocentralet publike.
Sipas të dhënave të INSTAT, energjia në dispozicion gjatë kësaj periudhe u rrit me 8,9%, duke arritur në 2470 GWh, krahasuar me 2269 GWh në tremujorin e parë të vitit 2025.
Prodhimi neto vendas u rrit me 63,2%, duke arritur në 3647 GWh nga 2234 GWh një vit më parë.
Hidrocentralet publike prodhuan 1667 GWh, duke shënuar një rritje prej 63%, ndërsa hidrocentralet private dhe koncesionare kontribuan me 1726 GWh, një rritje 66,8%. Të tjerë prodhues, përfshirë burime të rinovueshme të tjera, prodhuan 254 GWh, duke shënuar një rritje 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Importi bruto i energjisë elektrike ra ndjeshëm me 57,4%, duke arritur në 327 GWh, nga 767 GWh në tremujorin e parë të vitit 2025. Ndërsa shkëmbimi i energjisë elektrike rezultoi pozitiv me 1177 GWh, duke treguar një situatë ku eksportet tejkalojnë importet dhe vendi po konsolidon pozicionin e tij si eksportues i energjisë në rajon.
Humbjet në rrjet u rritën me 8%, duke arritur në 516 GWh, por si përqindje e energjisë në dispozicion, ato u ulën lehtë në 20,9% krahasuar me 21,1% një vit më parë. Humbjet në transmetim u rritën me 31,9%, ndërsa humbjet në shpërndarje u rritën me 5,1%.
Konsumimi i energjisë elektrike nga konsumatorët shënoi një rritje të qëndrueshme prej 9,1%, duke arritur në 1,954 GWh.
Konsumatorët familjarë konsumuan 1158 GWh, një rritje prej 8,8%, ndërsa konsumatorët jofamiljarë përdorën 796 GWh, duke shënuar një rritje 9,5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.



