Home / Lajme / Kosova / Rehabilitimi i bllokut B2 të Kosovës B pritet të nisë në prill 2027

Rehabilitimi i bllokut B2 të Kosovës B pritet të nisë në prill 2027

Rehabilitimi i detajuar i njësisë B2 në termocentralin Kosova B dhe vendosja e elektrofiltrave të rinj pritet të nisin në prill të vitit 2027, rreth gjashtë muaj pas përfundimit të planifikuar të punimeve në njësinë B1.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë një vizite të fundit në termocentral, ku ka përcjellë ecurinë e punimeve në B1. Rehabilitimi i kësaj njësie ka nisur në prill të këtij viti dhe, sipas planifikimeve, pritet të përfundojë në nëntor, përcjell Energy Monitor.

Shtyrja e punimeve në B2 nënkupton se Kosova do t’i mbajë të dy njësitë jashtë rehabilitimit të njëkohshëm gjatë muajve të dimrit, duke ruajtur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë. Sipas Buletinit Ekonomik, kjo mundëson rreth 260 megavatë kapacitet shtesë gjatë dimrit, krahasuar me skenarin kur punimet në B2 do të nisnin menjëherë pas përfundimit të atyre në B1.

Megjithatë, nisja e punimeve në B2 në pranverën e vitit të ardhshëm nënkupton se edhe gjatë vitit 2027 prodhimi i energjisë nga Kosova B do të ndikohet nga remontet, të cilat pritet të zgjasin rreth gjashtë muaj, njofton Energy Monitor.

Projekti për instalimin e elektrofiltrave të rinj në të dy njësitë, me vlerë rreth 84 milionë euro dhe financim nga Bashkimi Evropian, synon të ulë ndjeshëm ndotjen nga termocentrali. Elektrofiltrat synojnë ta ulin përqendrimin e pluhurit në gazrat dalëse nga 350 në 20 miligramë për metër kub normal, ndërsa sistemi DeNOx synon uljen e oksideve të azotit nga 540 në 200 miligramë për metër kub normal.

Gjatë vizitës, Rizvanolli ka kërkuar nga kontraktori dhe Bashkimi Evropian që të bëjnë përpjekje maksimale për përfundimin e punimeve në B1 brenda afatit të planifikuar, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të njësisë në operim për sigurinë e furnizimit me energji gjatë dimrit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com