Home / Lajme / Kosova / Mjeku: Projektligjet për energjinë parashohin mbrojtje më të madhe për konsumatorët, rritje të konkurrencës dhe rregulla për bateritë

Mjeku: Projektligjet për energjinë parashohin mbrojtje më të madhe për konsumatorët, rritje të konkurrencës dhe rregulla për bateritë

Projektligjet për energjinë dhe energjinë elektrike synojnë të forcojnë mbrojtjen e konsumatorëve, të rrisin konkurrencën në treg dhe të krijojnë bazën ligjore për rregullimin e ruajtjes së energjisë, përfshirë bateritë. Këto çështje u diskutuan të mërkurën në një dëgjim publik të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, tha se projektligjet nr. 11/L-003 për Energjinë dhe nr. 11/L-004 për Energjinë Elektrike sjellin ndryshime që synojnë të mbrojnë konsumatorët e cenueshëm, t’ua lehtësojnë ndërrimin e furnizuesit dhe të parandalojnë monopolin dhe abuzimin me pozitën dominuese.

Sipas Mjekut, për herë të parë krijohet baza për kategorizimin e konsumatorëve të cenueshëm dhe përcaktimin e masave mbështetëse që u përgjigjen nevojave të tyre, me qëllim të zbutjes së pasojave të varfërisë energjetike. Projektligjet parashohin gjithashtu që konsumatorët të mund ta ndërrojnë furnizuesin pa kosto ndëshkuese dhe të marrin pjesë më aktivisht në treg.

Një tjetër risi është rregullimi i aktiviteteve të ruajtjes dhe agregimit të energjisë. Mjeku theksoi se bateritë janë të rëndësishme për balancimin e sistemit elektroenergjetik dhe integrimin e më shumë energjisë së ripërtëritshme. Projektligjet parashohin edhe një procedurë konkurruese për caktimin e furnizuesit të shërbimit universal.

Kryesuesi i grupit punues për të dy projektligjet, Valon Ramadani, shpjegoi se projektligji për energjinë përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme për sektorin, me synim sigurimin e furnizimit të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe pjesëmarrjen në tregjet rajonale e panevropiane. Ndërkaq, projektligji për energjinë elektrike rregullon aktivitetet e këtij sektori, përfshirë të drejtat dhe detyrimet e prodhuesve, operatorëve të ruajtjes, operatorit të transmetimit dhe operatorit të shpërndarjes.

Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) tha se organizata i mbështet në parim të dy projektligjet, por vlerësoi se ato po miratohen me vonesë. Ai theksoi se paketa mbetet e paplotë pa Ligjin për Rregullatorin e Energjisë dhe shprehu shqetësimin se vonesa mund të ndikojë në pavarësinë e rregullatorit, në kuadër të planit për racionalizimin e agjencive.

Anëtari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Adnan Preniqi, paraqiti një sërë propozimesh për ndryshimin dhe plotësimin e dispozitave të projektligjeve. Ato përfshijnë përcaktimin më të qartë të kompetencave të ministrisë dhe rregullatorit lidhur me obligimet e shërbimit publik, si dhe mënyrën e njohjes së kostove përkatëse në tarifa.

Preniqi propozoi gjithashtu rregulla për trajtimin tarifor të ndërmarrjeve që ruajnë energji, me synim shmangien e diskriminimit dhe tarifimit të dyfishtë. Propozimet përfshijnë edhe tarifat e kyçjes së instalimeve të ruajtjes në rrjet, të cilat, sipas tij, duhet të bazohen në kosto reale, të arsyeshme dhe efikase. Ai paraqiti edhe ndryshime lidhur me instalimet për vetëprodhim me kapacitet deri në një megavat.

Në përmbyllje të dëgjimit, Mjeku tha se të gjitha komentet dhe propozimet e paraqitura do të shqyrtohen, por sqaroi se kjo nuk nënkupton se ato do të pranohen të gjitha. Sipas tij, projektligjet duhet të harmonizohen me legjislacionin evropian dhe ligjet e tjera në fuqi, duke synuar rritjen e konkurrencës, mbrojtjen e konsumatorëve, përballueshmërinë e kostove dhe dekarbonizimin e sektorit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com