Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë më 12 nëntor, duke kërkuar rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe realizimin e pagës së 13-të për të gjithë të punësuarit në ndërmarrjen publike.
Protesta është paralajmëruar nga Sindikata e Re e KEK-ut dhe do të mbahet duke filluar nga ora 11:00, para zyrave të menaxhmentit të korporatës në objektin Toskan.
Sipas njoftimit të sindikatës, kërkesa e parë ka të bëjë me ngritjen dhe nivelizimin e pagave për punëtorët, ndërsa kërkesa e dytë është pagesa e pagës së 13-të për të gjithë të punësuarit, përcjell Energy Monitor.


Sindikata ka theksuar se protesta organizohet në emër të kërkesave për paga dinjitoze, barazi dhe respekt për punëtorët që kontribuojnë në funksionimin e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Protesta vjen në një periudhë kur KEK-u mbetet një prej ndërmarrjeve kryesore për sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend, përmes operimit të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.



