Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) do të ndajë 130,054 euro për mbështetjen e funksionimit të Odës së Inxhinierëve të Kosovës. Mbështetja synon forcimin e kapaciteteve të kësaj organizate profesionale dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj ligjore.
Për këtë qëllim, ministrja Fitore Pacolli ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me kryetarin e Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca.
Pacolli bëri të ditur se mbështetja financiare është pjesë e një qasjeje të re të ministrisë në bashkëpunimin me odat profesionale, përcjell Energy Monitor.
Sipas saj, zhvillimi i sektorit të ndërtimit dhe ngritja e standardeve profesionale kërkojnë bashkëpunim të vazhdueshëm me profesionistët e fushës.
Ministrja nuk ka dhënë detaje shtesë për mënyrën e shpenzimit të mjeteve apo aktivitetet konkrete që do të financohen përmes memorandumit.



