Home / Lajme / Mjedisi / Protesta në Evropë kundër qendrave të të dhënave, aktivistët hyjnë në kantierin e Microsoft-it në Amsterdam

Protesta në Evropë kundër qendrave të të dhënave, aktivistët hyjnë në kantierin e Microsoft-it në Amsterdam

Mbi 100 aktivistë kanë hyrë në kantierin e ndërtimit të një qendre të të dhënave të Microsoft-it në Amsterdam, në kuadër të protestave kundër zgjerimit të infrastrukturës për inteligjencën artificiale (IA). Organizatat mjedisore dhe aktivistët kundërshtojnë konsumin e lartë të energjisë elektrike dhe ujit nga këto objekte, si dhe ndikimin e tyre në objektivat klimatike.

Protesta u zhvillua më 6 nëntor, në fillim të një vale dyditore aksionesh në 16 shtete, të organizuara nga grupe të ndryshme nën koalicionin “Stop Dirty Data Centres”.

Në Amsterdam, protestuesit hynë në kantierin e ndërtimit, u ngjitën në vinça dhe vendosën pankarta kundër zgjerimit të qendrave të të dhënave. Veprimi u shoqërua me praninë e policisë, ndërsa aktivistë të tjerë protestuan jashtë objektit, përcjell Energy Monitor.

Kundërshtimet lidhen kryesisht me kërkesat e mëdha për energji elektrike dhe ujë të qendrave të të dhënave, të cilat po zgjerohen me shpejtësi për shkak të rritjes së përdorimit të inteligjencës artificiale dhe shërbimeve kompjuterike në re.

Sipas organizatorëve, këto objekte ushtrojnë presion mbi rrjetet energjetike dhe burimet ujore, konkurrojnë me sektorë të tjerë për burime të kufizuara dhe mund të vështirësojnë përmbushjen e objektivave klimatike. Aktivistët kërkojnë më shumë transparencë dhe rregulla për ndikimin e tyre në mjedis dhe komunitetet lokale.

Koalicioni “Stop Dirty Data Centres” kërkon pezullimin e projekteve të reja në shkallë të madhe deri në vendosjen e rregullave më të qarta për ndikimin e tyre në mjedis dhe burime natyrore.

Microsoft mbron të drejtën për protesta paqësore

Microsoft ka deklaruar se i kupton shqetësimet e qytetarëve dhe respekton të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore, por nuk mbështet veprimet e paligjshme apo ato që rrezikojnë sigurinë.

Kompania Pure Data Centres, e përfshirë në projektin ku po ndërtohet objekti, ka deklaruar se është e përkushtuar të komunikojë me komunitetin lokal. Projekti parashikon investime prej më shumë se një miliard dollarësh.

Protesta të tjera janë paralajmëruar në Dublin, Varshavë dhe Danimarkë, ndërsa aksione janë zhvilluar edhe në Gjermani, Kroaci dhe vende të tjera evropiane.

Evropa përballë dilemës së zgjerimit të IA-së

Zgjerimi i qendrave të të dhënave është shndërruar në një sfidë për politikat energjetike dhe klimatike të Evropës. Vendet evropiane synojnë të rrisin kapacitetet e tyre teknologjike për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën në zhvillimin e inteligjencës artificiale, por njëkohësisht përballen me shqetësime për kapacitetet e rrjeteve elektrike dhe ndikimin mjedisor të këtyre investimeve.

Bashkimi Evropian po shqyrton standarde dhe mekanizma të rinj për të matur efikasitetin e qendrave të të dhënave, përfshirë konsumin e energjisë dhe ujit.

Rritja e kërkesës për energji nga këto objekte po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e planifikimit të sistemeve energjetike. BE-ja synon të zgjerojë kapacitetet e qendrave të të dhënave, por kërkon që ky zhvillim të mos shkaktojë rritje të faturave të energjisë dhe presion të pakontrolluar mbi rrjetet elektrike.

Debati për ndikimin e qendrave të të dhënave po përfshin gjithnjë e më shumë edhe çështjen se kush duhet të paguajë për kapacitetet e reja energjetike që kërkohen për funksionimin e tyre.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com