KESCO është kompania me qarkullimin më të madh në Kosovë, me rreth 440 milionë euro të hyra gjatë vitit 2025, ndërsa në mesin e dhjetë bizneseve më të mëdha në vend janë edhe NOA Energy Trade dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Të dhënat janë pjesë e një analize të Revistës Monitor për kompanitë më të mëdha dhe strukturën e ekonomisë së Kosovës.
Sipas renditjes së publikuar nga Monitor më 7 nëntor, KESCO zë vendin e parë në vend, me të hyra paraprake prej rreth 440 milionë eurosh. Kompania, e themeluar në vitin 2015 nga konsorciumi Limak–Çalık, është furnizues i shërbimit universal të energjisë elektrike dhe përgjegjëse për furnizimin, faturimin dhe mbledhjen e pagesave nga konsumatorët.
Në vendin e tetë renditet NOA Energy Trade, dega në Kosovë e kompanisë shqiptare të tregtimit të energjisë elektrike, me të hyra prej 206.7 milionë eurosh në vitin 2025. Sipas Monitor, kompania ka shënuar rritje vjetore prej 5.7%, ndërsa fitimi para tatimeve ka rënë në 5.3 milionë euro, nga 10.4 milionë euro sa ishte një vit më parë, përcjell Energy Monitor.
Në vendin e nëntë është KEK-u, ndërmarrja publike përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike dhe aktivitetet minerare, me të hyra prej rreth 200 milionë eurosh, sipas të dhënave paraprake të publikuara në analizë.
Përveç kompanive të energjisë elektrike, në dhjetëshen e parë janë edhe disa kompani të tregtimit dhe shpërndarjes së derivateve të naftës. EX FIS raportoi mbi 223 milionë euro të hyra, HIB Holding rreth 219 milionë euro, ndërsa Albapetrol Group 166.2 milionë euro.
Prania e këtyre kompanive në mesin e bizneseve më të mëdha pasqyron peshën e tregtisë së energjisë dhe karburanteve në ekonominë e Kosovës.
Varësia nga importet mbetet sfidë për ekonominë
Analiza e Monitor vë në pah edhe problemet strukturore të ekonomisë së Kosovës, e cila vazhdon të mbështetet kryesisht në konsum, importe dhe remitanca, ndërsa prodhimi industrial ka një kontribut relativisht të ulët.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekonomia u rrit me 3.62% gjatë vitit 2025, por industria kontribuoi me vetëm 0.02 pikë përqindjeje në këtë rritje.
Një prej problemeve të theksuara është edhe sektori energjetik. Sipas analizës, varësia nga importet e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar në kostot e familjeve dhe bizneseve. Monitor vëren se brenda pesë vjetësh çmimi i energjisë elektrike është rritur tri herë, përcjell Energy Monitor.
Në planin e përgjithshëm tregtar, Kosova importoi mallra në vlerë mbi 7 miliardë euro gjatë vitit 2025, ndërsa eksportet arritën vetëm në 942 milionë euro, duke krijuar një deficit tregtar prej më shumë se 6 miliardë eurosh.
Analiza thekson se rritja e kapaciteteve prodhuese, investimet në energji dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë janë ndër kushtet kryesore për një model më të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik.



