Kompania gjermane e turbinave me erë Nordex Group ka siguruar kontratën për furnizimin dhe instalimin e 12 turbinave me kapacitet të përgjithshëm prej 84 MW në Spille të Shqipërisë. Projekti zhvillohet nga kompania austriake VERBUND Green Power dhe shënon hyrjen e Nordex në tregun shqiptar.
Sipas njoftimit të Nordex, kontrata përfshin furnizimin dhe instalimin e 12 turbinave të modelit N163/6.X, si dhe një marrëveshje 15-vjeçare për mirëmbajtjen dhe shërbimet teknike. Vlera financiare e marrëveshjes nuk është bërë publike.
Parku eolik do të ndërtohet në zonën e Spilles, rreth 50 kilometra në jug të Durrësit, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike pritet të nisë në pranverën e vitit 2028, përcjell Energy Monitor.
Projekti është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë bashkëpunimi ndërmjet Nordex dhe VERBUND Green Power, të nënshkruar në janar të vitit 2026.
Marrëveshja parasheh mundësinë e furnizimit me turbina me erë me kapacitet të përgjithshëm deri në 700 MW në gjashtë tregje evropiane, përfshirë Shqipërinë.
Investimi në Spille paraqet një hap të rëndësishëm për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri, ku sistemi vazhdon të mbështetet kryesisht në hidrocentrale. Kjo varësi e ekspozon vendin ndaj ndryshimeve të prurjeve hidrike dhe rrit nevojën për importe gjatë periudhave me reshje të pakta.
Ndryshe nga energjia diellore, e cila ka shënuar zgjerim të ndjeshëm vitet e fundit, shfrytëzimi i energjisë së erës në Shqipëri ka mbetur në fazë më të hershme zhvillimi. Parku i Spilles do të shtojë një burim të ri të prodhimit vendor dhe do të kontribuojë në diversifikimin e strukturës energjetike të vendit.
Për Nordex-in, kontrata shënon zgjerimin e aktivitetit në një treg të ri të Evropës Juglindore, ndërsa për VERBUND-in përfaqëson një tjetër investim në zhvillimin e portofolit të energjisë së ripërtëritshme.
Kapaciteti prej 84 MW do të shtojë ofertën e energjisë vendore, ndërsa ndikimi në uljen e importeve do të varet nga prodhimi real i parkut pas vënies në funksionim.



