Rreth 535 milionë euro investime në sektorin e energjisë janë përfshirë në katër zhvillimet kryesore të muajve të fundit, të cilat i ka veçuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Në mesin e tyre janë vënia në operim e parkut të erës në Zatriq, fillimi i ndërtimit të parkut solar në Kramovik, përparimi i ankandit të parë për energjinë e erës dhe përzgjedhja e kompanive që kanë ofertuar për ndërtimin e sistemeve të baterive në kuadër të programit me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), përcjell Energy Monitor.
Në shtator, Kosovës iu shtuan 70 megavatë kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike nga era, me përurimin e Parkut të Erës në Zatriq, në Komunën e Rahovecit.
Projekti, i zhvilluar nga EV Wind Park në partneritet me Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, përfaqëson një investim prej rreth 106 milionë eurosh dhe pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji në vit.
Një tjetër projekt në fazën e ndërtimit është parku solar në Kramovik të Rahovecit, me kapacitet prej 105 megavatësh për kyçje në rrjet. Ky projekt është rezultat i ankandit të parë solar të Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa punimet nisën në korrik të këtij viti.
Ndërkohë, në nëntor ka përparuar edhe ankandi i parë për energjinë e erës, me kapacitet të synuar deri në 100 megavatë. Më 9 nëntor, Ministria e Ekonomisë hapi ofertat financiare të dy kompanive që kaluan vlerësimin teknik.
Akuo Energy nga Franca paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa procesi pritet të vazhdojë me vlerësimin përfundimtar dhe hapat e tjerë drejt përzgjedhjes së investitorit.
Zhvillimi i katërt lidhet me sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive. Dy kompani amerikane kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemeve me kapacitet të përgjithshëm prej 340 megavat-orësh në Istog dhe Ferizaj.
Projekti është pjesë e Programit Kompakt me vlerë 236.7 milionë dollarë, të financuar përmes MCC-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Sipas ministres Rizvanolli, këto katër zhvillime përfaqësojnë rreth 535 milionë euro investime në sektorin e energjisë gjatë tre-katër muajve të fundit.
Projektet përfshijnë rritjen e kapaciteteve të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme, përmes energjisë së erës dhe diellit, si dhe ndërtimin e infrastrukturës për ruajtjen e energjisë. Kjo e fundit synon të ndihmojë integrimin e kapaciteteve të reja të ripërtëritshme dhe menaxhimin më fleksibil të sistemit elektroenergjetik.



