Home / Lajme / Kosova / Përfundon protesta e punëtorëve të KEK-ut, kërkohet rritja e pagave dhe paga e 13-të

Përfundon protesta e punëtorëve të KEK-ut, kërkohet rritja e pagave dhe paga e 13-të

Ka përfunduar protesta e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët kanë kërkuar rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe realizimin e pagës së 13-të për të gjithë të punësuarit në ndërmarrje.

Protesta u organizua nga Sindikata e Re e KEK-ut dhe u mbajt para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të korporatës në objektin Toskan, në Prishtinë.

Punëtorët kanë shprehur pakënaqësinë për nivelin e pagave dhe kushtet e punës, duke kërkuar trajtim më të barabartë dhe kompensim më të përshtatshëm për angazhimin e tyre në prodhimin e energjisë elektrike.

Kërkesat kryesore të sindikatës janë rritja dhe nivelizimi i pagave për të gjithë punonjësit, pagesa e pagës së 13-të për vitin 2026, si dhe përmirësimi i kushteve të punës dhe vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës, përcjell Energy Monitor.

Para protestës, KEK-u ka reaguar duke bërë të ditur se gjatë prillit të këtij viti punëtorëve u është ndarë një bonus prej 300 eurosh, ndërsa paga bazë është rritur për 60 euro për secilin punonjës.

Korporata ka njoftuar se ka zhvilluar takime me përfaqësues të dy sindikatave, ku janë diskutuar kërkesat e punëtorëve. Sipas KEK-ut, njëra nga sindikatat ka vendosur të mos e vazhdojë dialogun social dhe të organizojë protestën.

Menaxhmenti ka deklaruar se kërkesat nuk do të anashkalohen, por se shqyrtimi i mundësive konkrete për adresimin e tyre do të bëhet pas tejkalimit të sfidave aktuale dhe stabilizimit të proceseve operative, duke marrë parasysh mundësitë financiare dhe buxhetore të korporatës, transmeton Energy Monitor.

KEK-u ka theksuar se prioritet aktual mbetet vazhdimësia e prodhimit në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, përfundimi i projekteve kapitale dhe modernizimi i kapaciteteve prodhuese.

Për momentin, nuk është bërë e ditur nëse pas protestës është arritur ndonjë marrëveshje konkrete për kërkesat e punëtorëve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com