Projekti pilot për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme në ish-zonën industriale të metalurgjikut në Elbasan mund të shërbejë si model për identifikimin e territoreve të përshtatshme për investime dhe për përshpejtimin e procedurave të lejeve në të gjithë Shqipërinë.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë e ka renditur Elbasanin ndër dy projektet pilot me përparësinë më të lartë në rajon, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e zonave të përshpejtimit të energjisë së ripërtëritshme. Projekti tjetër është në Manastir të Maqedonisë së Veriut, ku fokusi është te ish-zonat e minierave të qymyrit.
Të dyja projektet po mbështeten me asistencë teknike nga Sekretariati, në bashkëpunim me Open Society Foundations Western Balkans. Qëllimi është të vlerësohet potenciali i zonave industriale dhe minerare për zhvillimin e projekteve të reja energjetike, duke marrë parasysh kufizimet mjedisore, përdorimin e tokës dhe mundësitë e lidhjes me rrjetin elektrik.
Sipas raportit të ri të Sekretariatit, përvoja e këtyre projekteve pilot pritet të shërbejë fillimisht për përfshirjen e zonave të përshtatshme në planet territoriale vendore dhe rajonale, e më pas për zgjerimin e modelit në nivel kombëtar.
Procesi parasheh identifikimin dhe vlerësimin e territoreve me konflikte të kufizuara mjedisore, hartëzimin e infrastrukturës energjetike, konsultimet publike dhe përcaktimin e zonave ku investimet në energjinë e ripërtëritshme mund të zhvillohen me procedura më të shpejta.
Këto zona, të njohura si zona të përshpejtimit të energjisë së ripërtëritshme, janë pjesë e mekanizmave të paraparë në Direktivën e Bashkimit Evropian RED III. Ato synojnë të lehtësojnë zhvillimin e projekteve diellore dhe të erës përmes identifikimit paraprak të territoreve të përshtatshme dhe thjeshtimit të procedurave administrative, pa anashkaluar kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
Sekretariati vlerëson se projektet në Elbasan dhe Manastir mund të dëshmojnë përfitimet e këtij modeli për dekarbonizimin, tranzicionin e drejtë dhe zhvillimin e industrisë së gjelbër.
Raporti thekson gjithashtu nevojën për reforma në procedurat e dhënies së lejeve dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për energjinë, mjedisin dhe planifikimin territorial. Për Shqipërinë, këto ndryshime lidhen edhe me detyrimet e Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian, e cila kishte paraparë thjeshtimin e procedurave të lejeve për projektet e energjisë së ripërtëritshme, si për instalimet familjare ashtu edhe për ato me kapacitete të mëdha, deri në qershor 2025.
Shqipëria ka objektiv që deri në vitin 2030 të arrijë pjesëmarrjen prej 52 për qind të burimeve të ripërtëritshme në konsumin përfundimtar bruto të energjisë, objektivi më i lartë në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, gjashtë ekonomitë e rajonit kanë së bashku rreth 23 gigavatë kapacitete të mundshme nga projektet e mëdha diellore dhe të erës, ndërsa kapacitetet e instaluara aktualisht arrijnë në rreth 1.5 gigavatë.
Zgjerimi i modelit të Elbasanit në bashkitë e tjera do të kërkojë përfshirjen e zonave të identifikuara në planet territoriale dhe kombëtare, si dhe krijimin e një sistemi më të koordinuar të planifikimit dhe dhënies së lejeve për investimet në energjinë e ripërtëritshme.



