Home / Lajme / Tjera / BE-ja u kërkon qytetarëve të përgatiten për 72 orë pa energji elektrike dhe ujë

BE-ja u kërkon qytetarëve të përgatiten për 72 orë pa energji elektrike dhe ujë

Bashkimi Evropian po u rekomandon qytetarëve të përgatiten për mundësinë e ndërprerjes së shërbimeve thelbësore për të paktën 72 orë, përfshirë furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Rekomandimi synon të rrisë gatishmërinë e familjeve përballë krizave të mundshme, nga sulmet kibernetike dhe tensionet gjeopolitike deri te përmbytjet dhe dëmtimet e infrastrukturës kritike.

Strategjia e BE-së për Gatishmërinë ndaj Krizave, e prezantuar në mars të vitit 2025, përfshin 30 nisma për forcimin e kapaciteteve të institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve për t’u përballur me situata emergjente. Udhëzimet synojnë të ndihmojnë shtetet të përgatisin popullsinë për të përballuar të paktën tri ditët e para të një krize.

Sipas rekomandimeve, çanta e emergjencës duhet të përmbajë ujë të pijshëm dhe ushqime me afat të gjatë përdorimi, ilaçe esenciale dhe pajisje të ndihmës së parë. Po ashtu, qytetarëve u këshillohet të mbajnë elektrik dore, bateri rezervë, karikues portativ për telefonin dhe radio me bateri, në mënyrë që të mund të marrin informacione edhe në rast të ndërprerjes së internetit, përcjell Energy Monitor.

Në listën e furnizimeve përfshihen edhe para të gatshme, pasi ndërprerjet e rrjeteve dixhitale mund të pamundësojnë pagesat me kartela, si dhe furnizimet e nevojshme për kafshët shtëpiake.

Përgatitja nuk lidhet vetëm me fatkeqësitë natyrore. BE-ja merr parasysh edhe sulmet kibernetike, tensionet gjeopolitike dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike, të cilat mund të shkaktojnë ndërprerje të energjisë, komunikimit dhe shërbimeve financiare.

Komisioni Evropian thekson se nuk bëhet fjalë për detyrim ligjor për qytetarët, por për një rekomandim që synon të nxisë përgatitjen individuale dhe t’u mundësojë familjeve të përballojnë ditët e para të një situate emergjente.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com