Home / Lajme / Mjedisi / Qendrat e të dhënave në SHBA emetojnë aq CO₂ sa Danimarka

Qendrat e të dhënave në SHBA emetojnë aq CO₂ sa Danimarka

Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature Sustainability ka zbuluar se 403 qendra të mëdha të të dhënave në SHBA, të cilat mbështesin shërbimet e inteligjencës artificiale (AI), konsumojnë sasi të energjisë elektrike të krahasueshme me atë të disa shteteve amerikane dhe shkaktojnë emetime vjetore të dioksidit të karbonit në nivelin e një shteti të tërë evropian.

Sipas hulumtimit të udhëhequr nga studiues të Universitetit të Harvardit, këto qendra të të dhënave kanë emetuar rreth 25.7 milionë tonë CO₂ gjatë periudhës maj 2024 – prill 2025. Kjo është përafërsisht sa emetimet vjetore të Danimarkës dhe dy deri në tri herë më shumë se vlerësimet e mëparshme për vitin 2018.

Studimi vlerëson se konsumi i tyre i energjisë elektrike ka qenë ndërmjet 68 dhe 99 teravat-orë (TWh), me një vlerësim qendror prej 82 TWh. Kjo përbën rreth 1.8 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në SHBA gjatë periudhës së analizuar, përcjell Energy Monitor.

Rreth 54 për qind e energjisë elektrike të përdorur nga këto qendra është prodhuar nga lëndët djegëse fosile, kryesisht gazi natyror, me 38 për qind, dhe thëngjilli, me 15 për qind. Kjo tregon se zgjerimi i infrastrukturës për inteligjencën artificiale po mbështetet ende në një masë të konsiderueshme te burimet konvencionale të energjisë.

Për të përcaktuar konsumin e secilës qendër, studiuesit kanë identifikuar 403 objekte përmes imazheve satelitore dhe kanë vlerësuar kërkesën e tyre për energji, duke e ndërlidhur atë me burimet e prodhimit të energjisë elektrike në rrjetet përkatëse.

Rezultatet tregojnë se ndikimi në mjedis ndryshon ndjeshëm nga një rajon në tjetrin, varësisht nga mënyra se si prodhohet energjia elektrike. Katër shtetet amerikane Virginia, Oregon, Ohio dhe Iowa përbënin më shumë se gjysmën e konsumit të përgjithshëm të energjisë nga qendrat e analizuara.

Megjithatë, konsumi i njëjtë i energjisë nuk nënkupton domosdoshmërisht të njëjtat emetime. Studiuesit vlerësojnë se për të njëjtën sasi të energjisë elektrike, qendrat e të dhënave në Wyoming shkaktojnë afërsisht shtatë herë më shumë emetime të CO₂ sesa ato në Oregon, ku rrjeti elektrik mbështetet në burime më të pastra.

Kjo nënvizon rëndësinë e burimeve të energjisë në përcaktimin e ndikimit klimatik të infrastrukturës digjitale. Zgjerimi i kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme mund të ndihmojë në uljen e gjurmës së karbonit të këtij sektori, ndërsa mbështetja në termocentrale me gaz dhe thëngjill rrit kostot mjedisore të zhvillimit të inteligjencës artificiale, raporton Energy Monitor.

Studimi paralajmëron se ndikimi real mund të jetë edhe më i madh, pasi analiza nuk ka përfshirë të gjitha qendrat e mëdha të të dhënave në SHBA dhe mbulon vetëm periudhën deri në prill 2025. Për më tepër, studiuesit nuk kanë mundur të ndajnë konsumin e energjisë për inteligjencën artificiale nga ai për shërbimet e tjera kompjuterike që ofrohen në të njëjtat objekte.

Përtej emetimeve të CO₂, studiuesit tërheqin vëmendjen edhe te ndotja e ajrit nga termocentralet që furnizojnë këto objekte. Prodhimi i energjisë nga lëndët djegëse fosile shkakton emetime të grimcave të imëta, oksideve të azotit dhe dioksidit të squfurit, të cilat lidhen me sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes. Ndikimi shëndetësor mund të ndihet edhe në komunitete që ndodhen larg vetë qendrave të të dhënave.

Gjetjet vijnë në kohën kur zgjerimi i infrastrukturës për inteligjencën artificiale po shton presionin mbi sistemet energjetike dhe po nxit diskutime për sigurimin e energjisë, përdorimin e ujit dhe përgjegjësinë e kompanive teknologjike për kostot mjedisore.

Studimi është publikuar më 16 nëntor në Nature Sustainability, me titullin “Assessing the Carbon Emissions and Energy Consumption of US Hyperscale Data Centers”.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com