Bashkimi Evropian po propozon një sistem të ri për vlerësimin e efikasitetit të qendrave të të dhënave, përmes të cilit publiku do të mund të shohë sa energji elektrike dhe ujë konsumojnë këto objekte. Sistemi do të jetë i ngjashëm me etiketat e efikasitetit që përdoren për pajisjet shtëpiake.
Propozimi i Komisionit Evropian vjen në kohën kur BE-ja synon të trefishojë kapacitetin e qendrave të të dhënave gjatë shtatë viteve të ardhshme, ndërsa kërkon të zgjerojë infrastrukturën për inteligjencën artificiale dhe të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.
“Trefishimi i kapacitetit të qendrave tona të të dhënave nuk mund të nënkuptojë trefishimin e presionit mbi rrjetet tona, ujin dhe faturat tona të energjisë”, tha nënkryetarja e Komisionit Evropian për tranzicionin e pastër, Teresa Ribera, transmeton Energy Monitor.
Sipas propozimit, qendrat e të dhënave me kapacitet mbi 500 kilovat, të cilat tashmë janë të detyruara të raportojnë të dhëna për performancën e tyre, do të marrin një vlerësim të efikasitetit.
Vlerësimi do të përdorë një shkallë nga A deri në G, e ngjashme me atë që përdoret për frigoriferët, lavatriçet dhe pajisjet e tjera elektrike. A do të tregojë nivelin më të lartë të efikasitetit, ndërsa G nivelin më të ulët.
Vlerësimi nuk do të bazohet vetëm në sasinë e energjisë që konsumon një qendër e të dhënave. Në të do të merret parasysh edhe përdorimi i ujit dhe mënyra se si objekti kontribuon në sistemin energjetik.
Për shembull, në vlerësim do të merret parasysh ripërdorimi i nxehtësisë së prodhuar nga serverët, si dhe shtimi i kapaciteteve të reja të energjisë së pastër.
Komisioni Evropian synon që etiketat të gjenerohen automatikisht mbi bazën e të dhënave të raportuara nga operatorët dhe të publikohen në një databazë të BE-së. Etiketat e para pritet të shfaqen në vitin 2027, përcjell Energy Monitor.
Rregullat e reja synojnë të bëjnë më të dukshëm ndikimin energjetik të një sektori që po zgjerohet me shpejtësi për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se qendrat e të dhënave mund të përbëjnë më shumë se 3 për qind të kërkesës për energji elektrike në BE deri në vitin 2030.
Komisioneri evropian për energjinë, Dan Jorgensen, tha se rritja e kërkesës për energji nga qendrat e të dhënave duhet të merret parasysh në planifikimin e sistemit energjetik.
“Kuptimi i konsumit të tyre të energjisë dhe burimeve është hapi i parë thelbësor drejt integrimit të tyre në mënyrë të qëndrueshme në sistemin tonë energjetik”, tha Jorgensen.
Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu mundësinë e vendosjes së standardeve minimale të performancës për qendrat e të dhënave.
Rritja e konsumit të energjisë nga qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale është bërë një çështje gjithnjë e më e rëndësishme për sistemet energjetike. Energy Monitor ka raportuar më herët se OKB-ja ka ngritur shqetësime për konsumin në rritje të energjisë nga kompanitë e inteligjencës artificiale.
Në një tjetër zhvillim, Australia po përgatit rregulla për qendrat e mëdha të të dhënave që përfshijnë kërkesa për energji të ripërtëritshme dhe kufizime në përdorimin e ujit.
Edhe në Kosovë, kërkesa për energji nga qendrat e të dhënave po hyn në diskutimin për zhvillimin e infrastrukturës energjetike. Deputeti Ermal Sadiku ka thënë së fundmi se pa kapacitete të reja të prodhimit të energjisë do të jetë e vështirë të zhvillohet infrastruktura e nevojshme për qendrat e të dhënave



