Home / Lajme / Tjera / MCA-Kosovo hap tender për zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore në sektorin e energjisë

MCA-Kosovo hap tender për zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore në sektorin e energjisë

MCA-Kosovo ka njoftuar se ka shpallur një mundësi të re prokurimi për përzgjedhjen e një kompanie konsulente që do të merret me projektimin dhe zbatimin e aktiviteteve për zhvillimin e aftësive profesionale të fuqisë punëtore në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas njoftimit të MCA-Kosovo, tenderi ka të bëjë me angazhimin e një konsulenti për projektimin dhe zbatimin e aktivitetit “Improving Energy Sector Workforce” (IESW), në kuadër të projektit “Jumpstarting Energy Talent for Advancement” (JETA), pjesë e Marrëveshjes Kompakte mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Ky aktivitet, sipas njoftimit, synon zhvillimin e aftësive dhe njohurive profesionale që i nevojiten sektorit të energjisë në Kosovë, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe ndryshimeve në këtë sektor.

Projekti financohet përmes një granti prej 202 milionë dollarësh nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes MCC-së, si dhe një kontributi prej 34.67 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës.

Sipas afateve të publikuara, konferenca informuese për ofertuesit e interesuar do të mbahet më 26 nëntor 2026, në orën 14:00, sipas kohës lokale në Kosovë, në format online.

Ndërkaq, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 6 janari 2027, në orën 15:00.

Kompanitë e interesuara dhe që i plotësojnë kriteret e përshtatshmërisë mund t’i sigurojnë dokumentet e tenderit duke plotësuar formularin e regjistrimit të publikuar nga MCA-Kosovo.

Njoftimi i plotë për mundësinë e prokurimit është publikuar në ueb-faqen zyrtare të MCA-Kosovo.

/Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com