Home / Lajme / Ndërkombëtare / Gjermania ul taksën e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët nga viti 2027

Gjermania ul taksën e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët nga viti 2027

Koalicioni qeverisës në Gjermani, i përbërë nga CDU/CSU dhe SPD, është pajtuar për uljen e taksës së energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët, duke përfshirë familjet dhe bizneset, në nivelin minimal të lejuar nga Bashkimi Evropian. Masa do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe fillimisht do të zbatohet për një vit.

Marrëveshja u arrit të mërkurën, pas negociatave disaorëshe në komitetin e koalicionit qeverisës, të udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz.

Sipas marrëveshjes, taksa aktuale e energjisë elektrike prej 2.05 centësh për kilovat-orë do të ulet në 0.1 cent për kWh, që është niveli minimal i përcaktuar nga BE-ja.

Deri më tani, ky lehtësim tatimor zbatohej kryesisht për industrinë dhe disa sektorë të tjerë ekonomikë, ndërsa familjet dhe një pjesë e madhe e bizneseve vazhdonin të paguanin normën e plotë.

Me ndryshimin e ri, përfitues do të jenë edhe konsumatorët familjarë, si dhe bizneset e vogla dhe të mesme, përfshirë marketet dhe sallonet e parukerisë.

Sipas përllogaritjeve të publikuara nga mediat gjermane, një familje me konsum vjetor prej 4,000 kWh mund të kursejë rreth 93 euro në vit, nëse ulja bartet plotësisht në faturën e energjisë elektrike. Për bizneset me konsum më të madh, kursimet pritet të jenë dukshëm më të larta.

Financimi i masës për vitin 2027 do të sigurohet përmes mjeteve të papërdorura nga skema e mbështetjes për energjinë e ripërtëritshme (EEG). Megjithatë, financimi për vitet pasuese ende nuk është përcaktuar.

Koalicioni ka shprehur synimin që ulja të vazhdojë edhe pas vitit 2027, por kjo do të varet nga sigurimi i një mekanizmi të qëndrueshëm financiar në buxhetin federal të vitit 2028.

Marrëveshja duhet të përfshihet në buxhetin federal për vitin 2027, i cili pritet të miratohet përfundimisht nga Bundestagu më 27 nëntor.

Përveç uljes së taksës së energjisë elektrike, partitë e koalicionit janë pajtuar edhe për një mekanizëm të përkohshëm për kufizimin e çmimeve të karburanteve. Ky mekanizëm parashihet të aktivizohet më 1 janar 2027 dhe të zbatohet fillimisht për tre muaj, në përgjigje të krizës së çmimeve të energjisë dhe zhvillimeve në Ngushticën e Hormuzit.

Vendimi për uljen e taksës së energjisë elektrike vjen pas disa muajsh mosmarrëveshjesh brenda koalicionit për financimin e masës dhe përmbushjen e premtimeve të mëparshme për lehtësimin e faturave të energjisë për familjet dhe ekonominë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com