Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) ka paralajmëruar për vështirësi të mundshme në furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit, duke theksuar se bizneset tashmë po përballen me pasiguri energjetike dhe rritje të kostove.
Kushtrim Ahmeti nga DHTIK ka deklaruar se reduktimet e energjisë elektrike të raportuara gjatë verës kanë vazhduar edhe gjatë muajve të fundit, ndërsa me uljen e temperaturave pritet të rritet kërkesa për energji dhe, rrjedhimisht, edhe kostoja e sigurimit të saj.
Sipas Ahmetit, mosfunksionimi i rregullt i njësive prodhuese dhe nevoja për import të energjisë me çmime të larta po e vështirësojnë situatën për sektorin e biznesit.
“Gjatë gjithë verës Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike dhe kjo po vazhdon edhe tash. Fatkeqësisht, do të përballemi me një dimër të vështirë. Blloqet nuk janë duke funksionuar siç duhet, energjia po importohet me çmime goxha të shtrenjta dhe, duke shkuar drejt dimrit, edhe kërkesa për energji rritet, ndërsa çmimi do të jetë shumë më i shtrenjtë sesa që është aktualisht”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e investimeve në infrastrukturën energjetike dhe konsultimeve me sektorin privat gjatë procesit të marrjes së vendimeve.
“Mosangazhimi dhe moskompletimi i gjithë infrastrukturës energjetike, si dhe marrja e vendimeve pa asnjë konsultim, do të shkaktojnë telashe dhe pasoja të rënda për ekonominë”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, bizneset po përballen me pasiguri të furnizimit dhe rritje të kostove operative, ndërsa mungesa e mbështetjes institucionale po e rëndon edhe më shumë situatën.
“Bizneset kanë filluar t’i shfaqin vetë ankesat e tyre. Në çfarë gjendje është vendi, nuk ka energji, ndërsa faturat vijnë tri-katërfish më të shtrenjta. Kemi pasiguri të mëdha dhe rritje të kostos për gjithçka”, është shprehur ai.
Ahmeti ka shtuar se deri më tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për mbështetjen e bizneseve në përballimin e kostove të energjisë.
“Asnjë veprim nuk është marrë deri tani për asnjë biznes për ta ndihmuar. Kjo është për keqardhje”, ka deklaruar përfaqësuesi i DHTIK-së.
Shqetësimet e DHTIK-së vijnë në kohën kur Kosova po hyn në sezonin e konsumit të lartë të energjisë, me një pjesë të kapaciteteve vendore jashtë funksionit dhe me nevojën për të siguruar energji shtesë nga importi.



