Home / Lajme / Rajoni / Krshko 2 pritet të prodhojë energji me kosto prej 133 eurosh për MWh

Krshko 2 pritet të prodhojë energji me kosto prej 133 eurosh për MWh

Energjia elektrike nga njësia e dytë e planifikuar e centralit bërthamor Krshko në Slloveni mund të kushtojë mesatarisht 132.92 euro për megavat-orë gjatë 20 viteve të para të operimit. Kjo është vlerësimi i Aleksander Mervar, drejtor ekzekutiv i operatorit slloven të sistemit elektroenergjetik ELES, i cili ka publikuar një seri analizash mbi kostot e projektit.

Sipas përllogaritjeve të Mervarit, investimi në Krshko 2 mund të arrijë nga 12.4 deri në 14.8 miliardë euro, varësisht nga inflacioni gjatë ndërtimit dhe kostot e financimit. Skenari që ai e konsideron më të mundshëm parasheh një investim prej 13.5 miliardë eurosh, duke llogaritur inflacion vjetor prej 1% dhe kosto mesatare të ponderuar të kapitalit (WACC) prej 4%, ka njoftuar Balkan Green Energy News.

Projekti parasheh ndërtimin e një njësie të re me kapacitet neto prej 1,100 megavatësh, pranë centralit ekzistues bërthamor në Krško. Aktualisht, projekti ndodhet në fazën e planifikimit hapësinor, ndërsa vendimi përfundimtar për realizimin e tij ende nuk është marrë.

Mervar thekson se kostoja e prodhimit do të varet edhe nga zhvillimet e ardhshme në tregun e energjisë elektrike dhe teknologjitë që do të dominojnë prodhimin në Evropë. Nëse zgjerohen investimet në energjinë bërthamore dhe centralet me gaz, ato mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve margjinale të energjisë. Në të kundërtën, zgjerimi i burimeve të shpërndara, veçanërisht energjisë diellore dhe asaj të erës, mund të ulë çmimet në tregun me shumicë, përcjell Energy Monitor.

Megjithatë, Mervar paralajmëron se një sistem me pjesëmarrje më të madhe të burimeve të ripërtëritshme do të kërkojë investime të konsiderueshme në rrjetin shpërndarës dhe mund të sjellë kosto shtesë për konsumatorët përmes tarifave të rrjetit dhe mekanizmave të tjerë të financimit.

Një nga çështjet e hapura është edhe infrastruktura e transmetimit. Nënstacioni ekzistues 400/100 kV në Krško ndodhet pikërisht në zonën ku planifikohet ndërtimi i njësisë së re. Ndërtimi i një nënstacioni të ri vlerësohet të kushtojë rreth 250 milionë euro, prej të cilave ELES pritet të mbulojë rreth 80 milionë euro përmes investimeve të planifikuara, ndërsa pjesa tjetër do t’i takojë investitorit të projektit.

Një tjetër sfidë është sigurimi i kapaciteteve rezervë për sistemin elektroenergjetik. Për shkak të kapacitetit prej 1,100 MW të njësisë së re, Sllovenia do të duhej të siguronte një sasi të barabartë të kapaciteteve rezervë. Meqë aktualisht nuk disponon kapacitete të tilla, do të nevojitej ndërtimi i 500 deri në 600 MW kapaciteteve të reja me gaz. Sipas çmimeve aktuale, kjo do të kushtonte rreth 31 milionë euro në vit.

Mervar konsideron se këto shpenzime duhet të mbulohen nga investitori i Krško 2 dhe jo të bartën te konsumatorët e energjisë elektrike.

Ai gjithashtu ka mbështetur përfshirjen e një partneri strategjik në projekt, i cili do të mund të financonte deri në 50% të investimit, ndërsa shteti slloven do të ruante rolin dominues.

ELES ka paralajmëruar se vonesat në marrjen e vendimeve për Krško 2 mund të ndikojnë në planifikimin afatgjatë të sektorit energjetik të Sllovenisë, pasi zhvillimi i energjisë bërthamore dhe zgjerimi i burimeve të ripërtëritshme kërkojnë qasje të ndryshme në planifikimin dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com