Kuvendi i Kosovës do të trajtojë sot disa çështje që lidhen drejtpërdrejt me sektorin e energjisë elektrike, në kuadër të dy seancave plenare të parapara për orën 10:00 dhe 11:00.
Në seancën e parë, deputetët pritet të votojnë Propozim-Rezolutën që ka dalë nga mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Mocioni është iniciuar pas debatit parlamentar për sektorin e energjisë, ku janë diskutuar prodhimi vendor, importi i energjisë elektrike, kostot e furnizimit dhe vonesat në zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
Gjatë debatit, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, kishte deklaruar se Kosova ka shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për importin e energjisë elektrike gjatë pesë vjetëve e gjysmë, duke kërkuar llogaridhënie për mungesën e investimeve dhe rritjen e prodhimit vendor.
Në seancën e dytë, që nis në orën 11:00, Kuvendi pritet të shqyrtojë vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, të miratuar më 16 nëntor.
Masat janë paraparë të jenë në fuqi për 60 ditë dhe synojnë përballimin e sfidave të furnizimit gjatë periudhës së dimrit. Ndër të tjera, ato përfshijnë obligimin për ndërmarrjen Ibër-Lepenci që, sipas mundësive teknike, të përshtatë dhe rrisë prodhimin e energjisë elektrike gjatë orëve të pikut, si dhe themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent për rekomandimin e masave shtesë.
Institucionet publike gjithashtu pritet të obligohen të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion e ka miratuar paraprakisht vendimin e Qeverisë, pas prezantimit nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Në të njëjtën seancë do të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë, i cili parasheh vendosjen e objektivave për kursimin e energjisë dhe masa për përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave.
Ndër objektivat e projektligjit është kursimi vjetor prej së paku 0.8 për qind i konsumit mesatar final të energjisë, ndërsa parashihet edhe renovimi vjetor i së paku 3 për qind të sipërfaqes së ndërtesave publike që plotësojnë kriteret e përcaktuara në projektligj.
Krahas çështjeve të energjisë, në seancën e dytë do të shqyrtohet në lexim të parë edhe Projektligji për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027.
Shqyrtimi i parë i buxhetit do të jetë një tjetër pikë me rëndësi për sektorin, pasi ndarjet buxhetore përcaktojnë edhe hapësirën financiare për politikat dhe investimet publike në energji.
Në seancën e parë, përveç rezolutës për energjinë, deputetët do të votojnë edhe një rezolutë lidhur me gjendjen në shëndetësi, si dhe do të rishqyrtojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, të kthyer nga presidentja për rishqyrtim.



